Nga Gazeta “SI” – Kur ajo u bë pjesë e politikës pati jo pak zëra të cilat e kritikuan përfshirjen e saj. Edhe pse Partia Demokratike kaloi një kalvar të gjatë destabilizimi dhe destrukturimi, Flutura Açka e ruajti integritetin personal duke shpresuar në krijimin e një poli të tretë i cili nuk erdhi kurrë.
Për podcastin “T’Pa Thana” në GazetaSi.al , Açka pohon se duke mos pasë alternativën e duhur, ka vendosur të heqë dorë nga politika.
“ Edhe pse jam e joshur nga politika dhe nga vazhdimësia, kam vendosur të tërhiqem. Arriti një moment ku e djathta ishtë e paqartë dhe harta e saj është shumë e ndotur. E kisha menduar vazhdimësinë nëse do të krijohej një pol i tretë, me njërëz të rinj dhe rezistëntë, ku mund të krijohej një bashkim që ti jepte shqiptarëve perceptimin se këta e kanë seriozisht. Por meqenëse shqiptarët nuk merren vesh, atëherë dhe unë vendosa të tërhiqem”
Sipas saj politika ishte ‘droga’ më e fortë e jetës saj.
“ Katër vitet ishin si një parapregatitje. Ti zgjidhesh deputete dhe pastaj nuk ka asnjë lloj orientimi kolektiv apo një prapavijë e cila të mëson se çfarë duhet të bësh dhe të kërkosh. Tani duhet të ishte një pikënisje e re dhe me pervojë e imja në politikë pasi kalova katër vite dhe deri diku e konstatova dhe politikën si “drogën” më të fortë të jetës sime ” shprehet Açka për “T’Pathana”
Ajo thotë se partitë e ndërtuara si kazerma e kanë ndryshuar për keq politikën dhe parlamentarizmin.
“Jam munduar në këto katër vite aktivizëm politik të kuptoj se pse politika perceptohet si e keqe dhe se pse njeriu shndërrohet kur hyn në politikë. Kam vënë re se partitë shqiptarë janë pak a shumë kazerma ku njerëzit e dinë se do të shkojnë të votojnë sipas të parit të partisë. Por kanë dhe një ajër të pleqnive shqiptare ku dëgjohet i pari, pra njëfarë kulture pashallëku. Të gjithë këto elementë i trysnojnë dhe i shtypin partitë shqiptare”
Sipas saj, listat e zgjedhjeve të këtij viti janë më të dobëta sesa ato të vitit 2021, çka përkthehet në një parlament më të dobët sesa ai aktual edhe pse thekson se deputetët në tërësi kanë mangësi të mëdha, që nis nga mosleximi.
“ Parlamenti i ardhshëm referuar listave do të jetë më i dobët se ky aktual. Gjuha e përdoruar në parlament, gjykuar sipas meje është e dobët. Kjo vjen dhe për arsye se deputetët nuk lexojnë, as letërsi dhe as histori. Madje nuk lexojnë as ligjet që e kanë detyrim përpara se ti miratojnë. Ata miratojnë ligje pa i lexuar”
Ajo thotë se mënyra sesi u sollën Gaz Bardhi dhe Flamur Noka ndaj saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ishte një fashistizimi i paprecedent. Dhe duke veçuar Bardhin, Açka zbulon dhe një moment nga zgjedhjet e vitit 2021, natën e vështirë pas vrasjes në Elbasan ku ajo rrëfen se u gjend e vetme me Gaz Bardhin të braktisur nga të gjithë.
“ Ata ishin dy ish-ministra të Partisë Demokratike, që kishin këto lloj qasje fashiste ndaj meje në një sallë ku unë nuk reagova duke vazhduar sjelljen time korrekte. Doja thjesht të zbatoja kushtetutën. Kishim një ndasi të thellë sesi e konceptonim ne parlamentarizimin shqiptar.
Me Z. Noka nuk njisha por për Gaz Bardhin do të them një detaj që e them për herë të parë. Mbaj mend ngjarjen që na ndodhi në 21 Prill, ku u vra një qytetar shqiptar dhe bandat kishin dalë në qarkullim në mbrotje të votës. Ne kishim frikë se mos ata ktheheshin në mbrëmje për tu hakmarrë. Iu ishte vrarë një anëtar dhe frika ekzistonte. Në atë zyrën e vogël elektorale ku ne rrinim, në mbrëmjë ikën të gjithë. Nuk ndejti askush. E pashë Z. Bardhi të vetmuar dhe mendova sikur ata të kthehen dhe të shkrehin karikatorët, do të dilja unë përpara tij sepse unë në fund të fundit i kisha mbyllur punët në jetën timë, por ai ishte një djalë i ri dhe plot energji e vizion. Mendoje sjelljen e tij deri ku shkoi më vonë ”
Ajo thotë se qëllimi i këtyre katër viteve ishte ti shërbente qytetit të saj Elbasanit dhe qytetarëve të tij. Pas heqjes dorë nga politika, Açka thotë se Librat dhe jeta e saj tashmë mes Tiranës, Hollandës dhe Firences do të jenë prioriteti kryesor . Gjithashtu zbulon se përgjatë katër viteve si deputete ka mbajtur dhe shumë shënime dhe analiza të cilat beson se do ti botojë në një të ardhme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.