Njerez

Flogerta Krypi: Në letërsinë shqipe luftohet për një emër në treg dhe tirazh shitjesh

Nga Gazeta “SI”- Flogerta Krypi është një nga shkrimtaret e reja më të spikatura të letërsisë shqipe. Jeta e saj është e ndarë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, vend ku Flogerta jeton prej gjashtë vitesh. Aktiviste dhe pjesëmarrëse në nismat e shoqërisë civile prej thuajse dhjetë vitesh, letërsia dhe shkrimi mbeten për të vokacioni kryesor. Edhe pse e re në moshë, ajo është autore e mbi dhjetë librave, që nga poezi, romane, novela e deri te librat për fëmijë, ku më i fundit, “Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, u promovua vetëm para pak ditësh mes miqsh dhe lexuesish në Tiranë. E përkthyer në gjermanisht, fituese e disa çmimeve të rëndësishme letrare dhe po ashtu pjesëmarrëse në panaire ndërkombëtare të librit, ajo rrëfen për GazetaSi.al se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria, edhe pse i dhimbshëm, ishte i domosdoshëm.

Flogerta Krypi

“Vendimin për t’u larguar nga Shqipëria e kam marrë në një moshë relativisht të vogël. Arsyet ishin të shumta, por kryesorja mbetet që, ndonëse gjendesha në mesin e një morie aktivitetesh, sërish nuk gjeja veten dhe nuk isha e qartë për identitetin tim. Bëja shumë punë, e cila nuk sillte rezultate konkrete afatgjata dhe mbi të gjitha shpesh ndihesha sikur humbisja kontakt me veten time të vërtetë. Ikja në Gjermani qe një vendim i bazuar në atë që unë isha e bindur se do të gjeja atje: disiplinë, rregull dhe mbi të gjitha qetësi. Pas një kohe jo të gjatë arrita të ndërtoj shtyllat që më mungonin aq shumë në Shqipëri.”

Sipas Krypit, edhe pse është përkthyer në gjermanisht dhe ka plane për përkthime në gjuhë të tjera, lexuesi shqiptar, përfshirë atë të diasporës, mbetet besnik i letërsisë së saj.

“Botimi i romanit ‘28 rrahje zemre matematikore’ u prit ngrohtë në Gjermani dhe promovimi i parë u zhvillua në panairin e librit në Leipzig, që është panairi i dytë më i madh i librit në Gjermani dhe mbarë Evropën. Traduki, i cili ka qenë udhëheqësi im në rrugën e botimit dhe shpërndarjes së letërsisë time në disa vende, nuk më ka lënë asnjëherë ndjesinë e mungesës së lexuesit, përkundrazi. Megjithatë, lexuesi shqiptar gjithmonë do të jetë pjesë e imja. Unë e kam nisur letërsinë time shqip dhe ndjesinë e parë të të qenurit shkrimtare e kam marrë pikërisht nga ata. Tani jam në faza zhvillimi të mëtejshme dhe zgjerimit të këtij rrjeti lexuesish. Ajo çfarë më mban aktive është fakti që lexuesi shqiptar është shpërndarë gjerësisht dhe më ka ndjekur në çdo botim, madje edhe në gjuhë të huaj.”

Ajo tregon se kalimi në letërsinë për fëmijë ishte shtysë e bashkëshortit të saj, i cili vuri re se portreti i saj letrar, ndonjëherë i errët, fsheh një shpirt të brishtë dhe të pafajshëm.

“Letërsinë për fëmijë nuk e kam menduar ndonjëherë si pjesë të botës sime. Ndoshta sepse si fëmijë e kam parë botën ndryshe nga normalja dhe kjo më ka kufizuar deri diku. Unë kam qenë një fëmijë i heshtur dhe letërsia për fëmijë kërkon shumë gjallëri. Ai që më ka motivuar ta shkruaj një libër për fëmijë ka qenë bashkëshorti im. Në fillimet e njohjes tonë, më tha se do të ishte mirë të lëvroja këtë lloj letërsie. Sipas tij, shpirti im ishte shumë i pafajshëm për botën e të rriturve, ndërsa fëmijët do më kuptonin dhe ndiqnin gjithmonë. Ky sugjerim mbeti në mendjen time dhe u kurorëzua kur u bëra nënë. Djali im, Iliri, është burimi i parë i entuziazmit dhe më mban aktive me ide të reja, duke më ndihmuar të zhvilloj fëmijën që kam brenda vetes, por që nuk jetoi siç duhet në kohën e vet. Mendoj se këtu nis dhe shërimi i heshtjes së asaj kohe.”

Krypi thekson se letërsia e re shqipe sot ndikohet shumë nga dëshira e autorëve të rinj për famë të shpejtë, shpesh duke i parë romanet e tyre si potencial për ekranizime, gjë që sipas saj shkatërron nevojën themelore për të shkruar.

“Mendoj që letërsia e re ndahet në dy grupe të fuqishme: letërsinë komerciale dhe letërsinë që i reziston kohës. Shumë krijues luftojnë më shumë për një emër në treg dhe tirazh shitjesh sesa për letërsi të mirëfilltë. Ata shkruajnë duke menduar sesi do duket libri në ekran, jo sesi do të arrijë tek lexuesi. Këtë problem e kanë krijuesit kudo, jo vetëm në Shqipëri apo Evropë. Ata që arrijnë të dalin nga kjo kornizë, janë ata që jetojnë përgjithmonë në botën e letërsisë.”

Edhe pas sukseseve me librat dhe aspiratave për zgjerimin e letërsisë së saj në vendet e tjera europiane, Flogerta shprehet se jeta e saj në Gjermani është e thjeshtë dhe e ndarë mes profesionit si financiere dhe rolit të nënës dhe bashkëshortes.

“Dita ime është e thjeshtë, ashtu si e çdo gruaje që është nënë. Nis me përgatitjet e mëngjesit, dërgimin e djalit në kopsht dhe më pas shkoj në punë, ku ushtroj profesionin tim si financiere. Mes botës së numrave dhe fjalëve është ndërtuar gjithçka që jam. Pasditja i takon shtëpisë, ushqimit dhe shëtitjeve, dhe në mbrëmje, kur mundem, shkruaj. Kam mundësinë të shkruaj herët në mëngjes, kur dita e zakonshme ende nuk ka filluar. Përpiqem të jem aktive në jetën familjare, por pa harruar unin letrar që e kam kultivuar shumë herët. Udhëtimet që bëjmë si familje më ndihmojnë të krijoj ide të reja. Së shpejti vij me një roman pas thuajse tre vitesh mungese në botim. ‘Në aeroport nuk shiten bibla’ është dhurata që sjell këtë vit për lexuesit e rritur.”

Në planet e afërta të Flogerta Krypit është botimi i romanit të ri me titull “Në aeroport nuk shiten bibla”, dhe më pas do të vazhdojë me letërsinë për fëmijë, si një zhanër i ri që tashmë i ka zbuluar një tjetër anë të saj, brishtësinë njerëzore dhe lidhjen e ngushtë me mrekullinë e fëmijërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë