Katar 2022

Flik i kthehet Botërorit të Gjermanisë: Shumë politikë, turp që ishim të ndarë

Gazeta Si – Trajneri i gjermanëve ka shprehur zhgënjimin për gjithçka që rrethonte skuadrën e tij gjatë Botërorit të Katarit, nga sjellja e tifozëve te rëndësia që lojtarët u jepnin çështjeve politike.

Hsnsi Flik, trajneri i Gjermanisë. Gazeta Si, 22 dhjetor 2022

Kupa e Botës pati më shumë hije se dritë për Gjermaninë në të gjitha aspektet. Trajneri i saj, Hansi Flik, i konfirmuar në detyrë, ka folur me shumë pakënaqësi për ndarjen e publikut gjerman gjatë Katar 2022, që përfundoi me eliminimin e ‘pancerave’ që në fazën e grupeve, ku u kualifikuan Spanja dhe Japonia.

“Presidenti francez, Emanuel Makron, ka thënë diçka të tipit: ‘Futbolli është shumë i politizuar. Lojtarët tanë duhet të përqendrohen te futbolli, me politikën merrem unë’. Do të ishte mirë të kishte qenë kështu edhe për ne”, - ka deklaruar 57-vjeçari për ‘Frankfurter Neue Presse’.

Nuk u ndal me kaq, Flik më tej ishte i qartë se cila ishte detyra e skuadrës së tij gjatë Botërorit: “Detyra jonë është të luajmë futboll. Ka njerëz të tjerë të formuar për t’u marrë me politikë”.

Trajneri Flik ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për bashkëkombësit e tij: “Shumë kanë zgjedhur të mos i shohin ndeshjet, kurse të tjerët po. Vendi ishte i ndarë dhe ky është një turp. Futbolli është ai që i bashkon njerëzit. Isha krenar të shikoja tifozët që i kanë mbështetur pa kushte kombëtaret e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë