Gazeta Si – E përfshirë në mënyrë të papritur në mes të skandalit të inceneratorëve, është edhe një e moshuar në gjendje të vështirë ekonomike.
Por Merita Hajdari, e cila rezultoi pronare e një kompanie fiktive të lidhur me inceneratorët, kërkon drejtësi.
Gruaja, e cila u paraqit një ditë më parë në SPAK, thotë se është përfshirë në këtë mesele pa dijeninë e saj.
“Kam pasur mbledhur kanaçe, tani punoj në fruta perimet, shkoj laj pallatet të këto deputetët, pastroj pallate. Punoj dhe pastruese, gjysmë ore”, – rrëfen ajo.
Në një intervistë për “News24”, Hajdari tregon se nuk di se çfarë janë “inceneratorët” dhe as “QKB”-ja, ndërkohë që pohon se është “pa shkollë” dhe se nuk merret me “qeverinë”.
Ajo tregon se për të mbajtur familjen mbledh kanaçe dhe pastron tek pallati i deputetëve, por pa treguar se ku është ky vend në të vërtetë.
Hajdari u shpreh se kartën e identitetit e ka bërë kur ishin zgjedhjet, ndërsa më parë dokumenti identifikues i kishte humbur në autobus.
Ajo thotë se është fukareshë që punon për bukën e gojës dhe mohon se ka biznese.
“Dua drejtësi kush mi ka bërë këto gjëra dhe kush më ka nxjerrë biznesmene. Ose të mi japin këto bizneset e mia, të jetoj edhe unë të rregulloj fëmijët e mi me shtëpi e katandi. Mos të rrimë të flemë rrugëve, sa tek babi e sa tek tjetri, sepse nuk kam strehim tamam. Edhe bashkia s’më ka dhënë strehim që të jetoj me fëmijët e mi. I lutem shtetit të më ndihmojë, të më nxjerrë të drejtën time. Çfarë kam bërë dhe kush mi ka bërë këto dokumente”.
E pyetur se çfarë deklaroi në SPAK një ditë më parë, Merita shpjegon: “Ata më thanë ‘t’i s’ke lidhje, i kanë bërë të tjerët’. Po unë dua t’i di, të më hiqet ky emër se unë kam marrë një njollë shumë të madhe. Mua më vjen turp të dal në rrugë. Kam turp më thonë njerëzit rrugës ‘hajde, miliardere’, si? Unë pa bukë në shtëpi, me hallet e mia, me sëmundje, e djegur, e deformuar nga duart sepse nuk i komandoj sot”.
Merita Hajdari ka mohuar njohjen me Klodian Zoton dhe me Gjyste Serrmin, e cila në dokumente figuron se është 84-vjeçarja që ka firmosur për të kryer transaksione me vlerë 3 milionë euro, ndërkohë që ajo ka ndërruar jetë prej disa vitesh.
“Ore nuk njoh asnjë njeri mor vlla… Njoh vetëm veten time si person dhe familjen time, që jetojm në fukarallëk. Të tjerë nuk njoh”, – shton ajo.
Hajdari tregon se i kanë vjedhur kartën e identitetit para votimeve dhe se të renë ja ka bërë falas njësia bashkiake.
“Kur janë bërë votimet, kartën ma ka bërë shteti. Kam marrë kartën te gjendja civile. Kartën e vjetër ka vite që ma kanë vjedhur në autobus. Nuk i njoh këta persona fare kush janë. Edhe në bashki që kam shkuar për punën e strehimit. Nuk kam shkuar në zyra të tjera”, – vijoi gruaja, duke pohuar se po çmendet nga stresi dhe sikleti para njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.