Ka ndodhur

Flet babai i autorit të sulmit në xhami: Im bir është i sëmurë, e kanë kërcënuar

Pas ngjarjes së rëndë te xhamia “Dine Hoxha” në Tiranë, babai i autorit të sulmit (Rudolf Nikolli) me thikë ndaj besimtarëve, ka deklaruar se djali i tij është i sëmurë.

Nikollë Nikolli ka thënë për mediat se i biri i kishte treguar se e ndjekin nga pas dhe se duan ta vrasin. Ai shton se Nikollët janë familje katolike, ndonëse pohon se i biri falej rrallë te xhamia e Rrugës së Kavajës.

“E kam pyetur, pse je i irrituar, tha më ndjekin njerëzit nga pas. Se kush janë ata, nuk e di. Tha unë e di se do më vrasin, se do më zhdukin. Shumë njerëz më vijnë nga mbrapa më tha. Ose e ka nga sëmundja ose origjinale, s’e di, - tregon babai i autorit të sulmit me thikë. - Kur rri i qetë me të, këtë llaf më ka thënë. Ai çohej disa herë jerm. Mendoj se ka pasur kërcënime, se e kanë ndjekur njerëzit. Nëse ke pasur borxhe, i thosha, t’i paguaj unë të gjitha i thashë. E largova nga shtëpia te “Qemal Stafa”, i mora një vend tjetër me qira dhe i thashë, po tani a të ndjek njeri, vazhdojnë të më ndjekin ata persona më tha”.

Nikolla thekson se djali i tij u largua nga xhamia te Rruga e Kavajës dhe falej në një xhami tjetër. “I pata thënë, mos shko në xhami, nëse e sheh se nuk të duan njerëzit e të thonë je kaurr. Të falmen në  xhami e ka bërë që në shkollë të mesme. Kam parë disa njerëz nga Peshkopia dhe një çun dhe i kam thënë mos të shoh më tek çuni im. Ai nuk ka ardhur më. Disa njerëz vinin, i shkonin çunit mbrapa dhe i thosha mos t’ju shoh më me sy. Kam frikë se i kanë futur çunit ndonjë ilaç dhe është vërtet i degraduar me këto probleme, ose e ka nga stresi se e kanë kthyer nga në rrugë në Rinas”, - shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë