Katar 2022

Flamuri me Kosovën rrit tensionin para sfidës mes Serbisë dhe Zvicrës

Gazeta Si – Në rrjetet sociale është përhapur me shpejtësi provokimi i lojtarëve serbë me flamurin që përfshin edhe Kosovën në hartën e Serbisë. FIFA ka hapur një hetim, ndërsa ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës, ashtu si në 2018-ën, rrezikon të jetë mjaft e ndezur.

Poliktika dhe futbolli në Katar duket se po ecin me të njëjtin hap. Duket vërtet një nga Botërorët më të politizuar. Pas rasteve të protestave për shiritin ‘OneLove’, që që nuk u lejua, tensionit mes kombëtares iraniane dhe regjimit në Teheran, ka shpërthyer skandali edhe në Ballkan.

Flamuri me Kosoven ne harte, ne dhomat e zhveshjes se Serbise. Gazeta Si, 27 nentor 2022

Çështja mes Serbisë dhe Kosovës sërish në plan të parë. Beogradi e ka të vështirë ta njohë Kosovën si shtet dhe problemet politike hyjnë sërish në futboll. Pas ndeshjes Brazil-Serbi u publikuan foto nga dhoma e zhveshjes të ekipit serb, ku shfaqej një flamur që përfshinte dhe Kosovën. Edhe lojtarët që janë në Botëror vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën si pjesë të tyre.

Tema është mjaft e nxehtë, aq më tepër tani edhe me çështjen e targave. Federata Kosovare e Futbollit ka reaguar menjëherë me një komunikatë, ku i kërkon FIFA-s të "sanksionojë Serbinë për mesazhet agresive ndaj Kosovës".

Në total, raporti mes futbollit dhe politikës në Ballkan është një kapitull më vete. Në Botërorin e 2018-ës u përballën Serbia dhe Zvicra, që sërish janë në të njëjtin grup. Zvicra fitoi me përmbysje, me golat e dy kosovarëve Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Familjet e tyre kanë ikur nga Kosova gjatë persekutimit të serbëve kundër shqiptarëve. Xhaka dhe Shaqiri i festuan golat, duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, simbolin e flamurit shqiptar. Flitet se flamuri i serbëve në dhomat e zhveshjes ishte një lloj përgjigjeje për atë gjest të 4 viteve më parë.

Serbi-Zvicër, si për ironi të fatit, luhet sërish më 2 dhjetor. Është ndeshja e tretë në grup. Mund të jetë në lojë kualifikimi, ashtu si në Rusi. Dhe ashtu si ka ndodhur shpesh në këtë fillim të Kupës së Botës, mund të jetë më shumë se një ndeshje futbolli. Tensioni ka filluar të rritet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë