Ja ku nis edhe lufta e hokeit në akull. Teksa Europa kërkon sanksione më të forta ndaj Minskut pas arrestimit të gazetarit disident Roman Protaseviç, një përgjigje vjen edhe nga skena sportive, konkretisht nga Botërori që po zhvillohet në Rigë të Letonisë.
Martins Stakis, kryebashkiaku i kryeqytetit letonez, dhe Edgars Rinkeviks, ministër i punëve të jashtme të republikës balltike, kanë bërë një gjest të bujshëm përpara hotelit zyrtar të federatës ndërkombëtare, duke zëvendësuar flamurin bjellorus me atë të protestave që po zhvillohen në Bjellorusi, ku reagimi ka qenë i ashpër nga diktatori Aleksander Lukashenko, “i skualifikuar” edhe nga CIO, pasi mbajti për 23 vjet postin e presidentit të komitetit olimpik bjellorus. Jo flamurit me ngjyrat e kuqe dhe jeshile, më mirë ai me të bardhë dhe të kuqe i opozitarëve.
“Flamujt që simbolizojnë terrorizmin e shtetit nuk duhet të shfaqen”, – ka thënë për të shpjeguar gjestin kryebashkiaku Martins Stakis. Kjo iniciativë nuk e ka lënë indiferente qeverinë e Minskut, që nuk është menduar dy herë dhe menjëherë ka përzënë nga vendi ambasadorin letonez dhe gjithë personelin diplomatik.
Një krizë e vërtetë diplomatike. Federata ndërkombëtare e Hokeit e ka kritikuar veprimin e Letonisë: “Nuk jemi dakord me idenë e kryebashkiakut të Rigës dhe ministrit të jashtëm letonez për të përdorur flamurin e një vendi pjesëmarërs në Botërorin e Hokeit në akull për të dhënë një mesazh politik”.
Federata ka president zviceranin Renè Fasel, i cili ka kërkuar të tërhiqet, – një formë solidariteti ndaj Bjellorusisë, – edhe flamuri zyrtar i Federatës Ndërkombëtare. Një kërkesë që nuk është pranuar nga letonezët, të cilët nuk duan të bëjnë hapa prapa. Një tjetër kritikë diplomatiko-sportive është edhe pjesëmarrja e skuadrës ruse pa ngjyrat kombëtare, por mer ato të komitetit olimpik, pas dënimit për çështjen e dopingut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.