Kuriozitete

Flamingot ‘kërcënojnë’ italianët, u dëmtojnë rizoton

Fermerët në Italinë verilindore po përballen me një problem të pazakontë: flamingot. Këta zogj të mëdhenj me ngjyrë rozë, të cilët janë vendosur kohët e fundit në fushat e përmbytura të orizit në provincën Ferrara, zonë e njohur për prodhimin e orizit për rizoto, po dëmtojnë ndjeshëm të mbjellat.

Ndryshe nga shpendët e tjerë që kërkojnë farat e orizit, flamingot nuk ushqehen me bimën, por trazojnë baltën me këmbët e tyre për të kapur molusqe, insekte dhe alga. Si pasojë, farat e orizit shkatërrohen dhe kulturat pësojnë dëme të mëdha.

Fermerët vendas kanë nisur të patrullojnë ditën dhe natën për të trembur zogjtë, duke përdorur boritë e kamionëve, kazanë metalikë dhe madje edhe topa gazi që shpërthejnë me zhurmë. Megjithatë, përpjekjet kanë rezultuar të pafrytshme, pasi flamingot thjesht fluturojnë në një arë tjetër aty pranë.

“Kam humbur deri në 90% të prodhimit në disa zona. Është si të të marrin një fëmijë të sapolindur. Ke investuar aq shumë punë dhe kujdes, dhe në fund mbetesh pa gjë” u shpreh Enrico Fabbri, një fermer 63-vjeçar në Jolanda di Savoia.

Sipas ekspertëve, flamingot kanë migruar drejt këtyre zonave pas thatësirave në Spanjën jugore dhe janë vendosur në lagunat e Comacchio-s që nga viti 2000. Deri më tani, nuk dihet pse ata po kërkojnë ushqim më në brendësi të tokës, por përmbytja e fushave për mbjelljen e orizit duket se i tërheq.

Massimo Piva, zëvendëspresident i konfederatës lokale të fermerëve, thekson se situata është e bukur për natyralistët, por dramatike për fermerët.

“Ata janë zogj të bukur, por dëmi që shkaktojnë është shumë i madh. Duhet të kufizohet prania e tyre”, tha ai.

Ornitologu Roberto Tinarelli ka sugjeruar disa masa parandaluese, si rrethimi i fushave me pemë apo shkurre dhe, sidomos, ulja e nivelit të ujit në arat e sapombjella në 5-10 centimetra. Sipas tij, kjo do të ishte e mjaftueshme për rritjen e orizit, por jo tërheqëse për flamingot që kërkojnë ujë të thellë për të ushqyer.

Për momentin, fermerët janë të shqetësuar për sezonin e këtij viti, me dëme që po rriten dita-ditës. Ndërkohë, autoritetet dhe ekspertët kërkojnë zgjidhje që të ruajnë edhe biodiversitetin, por edhe prodhimin bujqësor të një prej kulturave më të rëndësishme të Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë