Njerez

Flaku foshnjën në Lumin Tapizë/ Rasti i 42-vjeçares që lindi pa e ditur se ishte shtatzënë dhe çfarë janë shtatzënitë kriptike

Nga Gazeta Si – Një shtatzëni e fshehtë ose siç njihet ndryshe shtatzëni kriptike është e rrallë por jo e pamundur. Ngjarja e rëndë që u regjistrua një ditë më parë në Krujë, ku L. K. 42 vjeçe ka hedhur në lumin e Tapizës foshnjën e saj të porsalindur duke e futur në një qese plehrash, sipas deklaratave të vetë gruas por edhe bashkëshortit të saj, flet pikërisht për një shtatzëni të fshehtë.

Gruaja u ndalua dje nga policia sepse pasi ka lindur foshnjën dje në mëngjes në banesën e saj, e ka flakur atë në lumin Tapizë. Gruaja është nënë edhe e 3 fëmijëve të tjerë të mitur, por sipas bashkëshortit të saj, askush nuk e dinte se ajo po priste një fëmijë.

Ngjarja u zbulua vetëm pasi ajo shkoi të merrte ndihmë mjekësore në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore ku dhe është zbuluar se ajo ka kryer një lindje. 42-vjeçarja ka deklaruar se nuk e dinte se ishte shtatzënë, deklaratë që është mbështetur edhe nga bashkëshorti i saj i cili gjithashtu ka thënë se nuk e dinte se gruaja e tij ishte shtatzënë.

Por sa të zakonshme janë shtatzënitë kriptike, të quajtura ndryshe edhe shtatzëni të fshehta?

“Shtatzënitë kriptike janë shumë të rralla, por jo të pamundura”, thotë Uarda Ismaili, obstetër-gjinekologe, duke shtuar se ky është një rast goxha domethënës nga shume aspekte.

“Duhet theksuar se veprime të tilla kanë bazë multifokale. Janë shumë faktorë që e bëjnë të mundur një veprim të tillë, gjë që duhet zbuluar në vijimësi”.

Obstetër-gjinekologe Uarda Ismaili. Gazeta Si, mars, 2024.

Gjinekologia thotë se rreth një në 3 mijë gra pretendojnë se nuk e kanë ditur që janë shtatzënë deri në momentin e lindjes, duke shpjeguar se në këtë rast ndikon edhe mosha e gruas.

“Rasti në fjalë është një grua 42 vjeçare, moshë gjatë së cilës gruas i fillon periudha e perimenopauzës, gjë që bën të ketë ndryshime hormonale, ndryshime të ciklit menstrual deri dhe mungesë periodash”, dhe në këtë rast mund të jetë e vështirë të kuptohet një shtatzëni, sidomos nëse është e fshehtë.

Gjithashtu, duke prekur vetëm aspektin gjinekologjik dhe atë obstetrikal, gjinekologia thotë se gruaja ka pasur lindje më parë, pra ajo është në dijeni se si është të qenurit shtatzënë si dhe mënyrën për të lindur.

“Fakti që ka zgjedhur lindjen në kushte shtëpie nuk e bën atë një situatë të rrezikshme, pasi në studime të ndryshme është shkruar se lindjet në shtëpi të jenë më të sigurta se në spital”, thotë gjinekologia duke shtuar se problem mbeten simptomat post partum, të cilat janë të vështira të kalohen pa mbështetjen e mjekut specialist.

Cilat janë ndërlikimet e një shtatzënie të fshehtë?

Komplikimet e një shtatzënie të fshehtë janë të shumta, ndër to:

Asnjë kujdes për shtatzëninë: Meqenëse nuk e dinë se janë shtatzënë, gratë mund të mos marrin kujdesin e duhur para dhe gjatë lindjes. Kjo do të thotë se nuk kanë pasur këshillimin mbi ushqimin, ultratingujt ose mbështetjen dhe informacionet që ju nevojitet për një shtatzëni të shëndetshme.

Rregullimi i stilit të jetesës: Pirja e duhanit dhe pirja e alkoolit janë të dëmshme gjatë shtatzënisë. Meqenëse nuk e dinë se janë shtatzënë, mund t’i përdorin këto substanca ose të marrin medikamente dhe suplemente të tjera që janë përgjithësisht të pasigurta për gratë shtatzëna.

Rrezik më i lartë i problemeve mjekësore: Duke mos e ditur se janë shtatzënë, gratë mund të mos marrin kujdesin e duhur për të diagnostikuar si probleme si diabeti.

Studimet tregojnë gjithashtu se foshnjat e lindura nga shtatzënia e fshehtë kanë më shumë gjasa të lindin para kohe, gjë që i vë ata në rrezik të jenë nën peshë ose me probleme të frymëmarrjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë