Nga Irena Beqiraj – Besoj të gjithë e keni dëgjuar shprehjen nëse nuk shkëlqen dot për vlerat, bjer në sy për antivlerat. Kjo është mantra e trendit më të ri në rrjetet sociale, në politikë, në diskursin e përditshëm në media: “nëse do të biesh në sy, apo të bëhesh viral, përdor ca fjalë të pahijshme”.
Nuk ka asgjë origjinale në këtë dukuri, burri, gruaja, vajza, djali që i përdor nuk është i zemëruar, e as në protestë, nuk është snob, por as karakter i fortë që nuk ia ndjen çfarë mendojnë të tjerët, përkundrazi, nuk jeton dot pa vëmendjen e të tjerëve .
Përdorimi i fjalëve të pahijshme është përdorur gjerësisht nga mendjet e mëdha të marketingut, të cilat rreth viteve ‘90 e kuptuan se përdorimi i tyre në markat e produkteve ishte një mënyrë e mirë për të tërhequr vëmendjen e publikut karshi produkteve të tyre, duke rritur kështu shitjet.
P. sh “Holy Crap” është në fakt, një mëngjes me fibra të larta në përbërje i hedhur në treg në 2009. Emri i tij e ka ndihmuar atë të shitet në rreth 5.5 milionë dollarë në vit.
E pra, fjalët e pahijshme të përdorura në marka kanë funksionuar, sepse kanë ofruar mundësinë për të rënë në sy kur kakofonia në treg është e madhe.
Në Twitter, Facebook, media, për të tërhequr vëmendjen në mënyrë të shpejtë nuk mjafton vetëm të bërtisni më fort, por duhet të jeni tronditës. Fjalori i vrazhdë të ndihmon për këtë sepse në pamje të parë ai ofron dëgjuesit, lexuesit, ndjesinë e pasionit autentik, ndjesinë e atij lloji pasioni të pakujdeshëm ndaj ndjenjave të tjerëve, pakujdes që gjoja e ka burimin tek vërtetësia.
Por mos u gënjeni: Aty ku ka pasion edhe protestë (qoftë ndaj ndalimit nga policia, apo ndaj Europës që nuk liberalizoi vizat për Kosovën), duhet të ketë argument. Kur nuk ka argument, por ka show fjalori të vrazhdë, ka vetëm një qëllim “ca klikime e like më shumë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.