Akademia e Shkencave ka botuar veprën madhore të Aleksandër Xhuvanit, “Fjalor i Gjuhës Shqipe”.
Fjalori i prof. Aleksandër Xhuvanit, një ndër gjuhëtarët më të mëdhenj të vendit tonë, zë një vend të veçantë në leksikografinë e gjuhës shqipe.
Fjalori ka një pasuri prej 17.000 fjalësh dhe 1.500 njësi frazeologjike.
Përgatitësi për botim i kësaj vepre, njëkohësisht drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Valter Memisha, tregon për Gazetasi.al se Aleksandër Xhuvani na sjell një pasuri të madhe gjuhësore.
“Aleksandër Xhuvani ka punuar në vitet ‘30, madje edhe në vitet e luftës, vitet ‘50 me leksikun e gjuhës shqipe. Ai punoi për vite të tëra dhe e gjurmonte fjalën, në gojën e fshatarit, në gojën e intelektualit, në faqet e gazetave, në faqet e botimeve të ndryshme shkencore apo joshkencore. Ai sjell një pasuri të jashtëzakonshme, janë gati 47 mijë skeda në kartotekën e leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë”, shprehet Memisha, ndërsa thekson se “10 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, u vendos që të botohej kjo pasuri e mbledhur në ‘Studime Filologjike’, ku u caktuan dy nga profesorët më të mirë që ka pasur Instituti i Gjuhësisë, profesor Mahir Domi dhe profesor Qemal Haxhihasani”.
Në faqet e revistës “Studime Filologjike”, u botua një pjesë e kësaj pasurie, por jo gjithë vepra e plotë.
Profesor Memisha thotë se ideja për të bërë këtë fjalor ka ardhur që në vitin 2001.
“Në vitin 2001 mua m’u caktua si detyrë në Departament që të filloja punën për përgatitjen e fjalorit të Aleksandër Xhuvanit. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë që kishte në pronësi kartotekën që janë këto skeda të fjalëve që ka mbledhur profesor Xhuvani, kaloi në pronësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Kjo qendër në vitin 2012 kaloi në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Në këtë çast u vendos detyra që vepra duhet të hartohej se s’bën”, shprehet ai.
Ndërkohë, Memisha vlerëson punën e përgjegjëses së arkivit, Ëngjëllushe Karaj, në gjetjen dhe grumbullimin e gjithë pasurisë leksikore që kishte mbetur e papasqyruar.
“Ëngjëllushe Karaj që sot është përgjegjëse e arkivit, iu vu detyrë që të gjente, të mblidhte e të grumbullonte të gjithë pasurinë leksikore që kishte ngelur e papasqyruar në Studimet Filologjike. Ajo bëri një punë 5-6 vjeçare, gjeti rreth 17 mijë skeda, rreth 12 shkronja që nuk ishin pasqyruar”, shprehet profesor Memisha.
Duke qenë se Profesor Xhuvani punonte mirë në disa gjuhë të huaja, u është dashur që të punojnë e të ngrenë një grup pune dhe me punonjës shkencorë që njihnin gjuhët që njihte Xhuvani.
Por sa i rëndësishëm është ky fjalor dhe përse vjen?
“Ne qëllim parësor kemi pasur që të vijë gjithë ç’na ka lënë Aleksandër Xhuvani. Njëkohësisht ky është fjalor, njëkohësisht ky është kartotekë, njëkohësisht është burim për studime të tjera dialektologjike, etnologjike, të historisë së gjuhës, etj”, shprehet ai.
Ndër të tjera, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë thotë se “Vjen si vepër që i mungon gjuhës shqipe, për arsye se është një nga personalitetet më të shquar që ka punuar për gjuhën shqipe. Vjen për të zënë vendin që i mungonte, por nuk mund të themi që do përdoret nga nxënësit dhe do gjejë çdo fjalë që i duhet”.
Në fund, ai ngre alarmin se shqipja gjithmonë ka nevojë për fjalorë.
“Gjuha shqipe ka nevojë për fjalorë. Po të shkosh në familjet e shqiptarëve mund të gjesh fjalorë të anglishtes, italishtes, frëngjishtes, por nuk gjen fjalor të gjuhës shqipe. Madje nuk e dinë se çfarë është fjalori i gjuhës shqipe”, përfundon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.