Bota

Fjalimi i Trump pas betimit si president: Rikthehet ëndrra amerikane! I japim fund luftrave. Do të ketë vetëm 2 gjini

“Epoka e artë e Amerikës nis tani”.

Donald Trump, Presidenti i ri i Amerikës, e nisi kështu fjalimin e tij të mbajtur menjëherë pas betimit në Capitol Hill.

“Nga sot, vendi ynë do të lulëzojë e do të respektohet sërish në të gjithë botën. Do të jemi zilia e çdo vendi dhe nuk do të lejojmë që të na shfrytëzojnë. Në çdo ditë të qeverisjes sime, Amerikën do e vendos të parën”, tha Trump.

Trump u zotua se në këtë mandat presidencial, do t’i japë fund epidemive dhe luftërave, për një shoqëri më të sigurt.

“Mesazhi im për amerikanët është të veprojmë me kuraje. Do t’i japim fund epidemive, do i mbajmë fëmijët të shëndetshëm. SHBA do rrisë pasurinë, territoret, pritshmëritë dhe e çon flamurin tonë në horizonte të reja dhe të kemi misione për në planetin Mars. Ambicia është synimi i një vendi të madh. Vendi ynë është më ambicioz se çdo vend tjetër. Shumë njerëz nuk e besonin por ja ku jam sot, populli amerikan ka folur. Jam përpara jush, asgjë nuk është e pamundur, e pamundura në Amerikë është ajo që bëjmë më mirë.

“Prioriteti ynë kryesor do të jetë që të ngremë një komb që është krenar, i begatë dhe i lirë. Amerika së shpejti do të jetë më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme se kurrë më parë”, shtoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump shtoi se kthehet në presidencë “i sigurt dhe optimist” dhe se është “fillimi i një epoke të re emocionuese të suksesit kombëtar”.

“Rrezet e diellit po derdhen mbi të gjithë botën dhe Amerika ka mundësinë ta shfrytëzojë këtë mundësi si kurrë më parë”, shton ai.

Trump përdori fjalimin e tij të parë për të sulmuar administratën Biden dhe trajtimin e saj të krizës së emigrantëve.

“Administrata e mëparshme ka siguruar strehë dhe mbrojtje për kriminelët e rrezikshëm që kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë. Qeveria ka dhënë fonde të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj, por refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë”, pretendoi Trump.

“Inflacioni është shkaktuar nga shpenzimet e jashtëzakonshme nga rritja e çmimit të energjisë dhe sot do të deklaroj një emergjencë kombëtare për energjinë. Do të shpoj sa më shumë puse nafte. Amerika do të jetë një vend prodhues dhe ne kemi atë që vendet e tjera s’do e kenë kurrë, sasinë më të madhe të naftës dhe gazit dhe ne do e përdorim. Do të ulim çmimet dhe do të mbushim rezervat strategjike dhe do të eksportojmë energji amerikane kudo në botë. Ai ar që është nën këmbët tona do të na ndihmojë.  Do ti japim fund marrëveshjeve të paligjshme.  Ju do të blini automjetin që ju dëshironi dhe do ndërtojmë automobil si kurrë më parë dhe faleminderit për punën tuaj.

Do ndihmojmë familjet amerikane, jo ti taksojmë. Do taksojmë vendet e tjera për të ndihmuar familjen amerikane. Ëndrra amerikane do rikthehet sërish, administrata ime do vendos një departament të ri për efikasitetin e qeverisjes. Pas kaq shumë vitesh përpjekjesh të paligjshme kundër lirisë së shprehjes do të shkruaj një ligj për ti dhënë fund censurës dhe për të kthyer lirinë e fjalës në Amerikë.

Nuk do të përdorim kurrë pushtetin për të luftuar kundërshtarin nuk do ndodhë kurrë në lidershipin tim. Do të kthejmë ligjin dhe rendin. Do të forcojmë një shoqëri që i jep fund racizmit dhe bazohet te merita. Nga sot do të kemi parasysh, do të kemi dy gjini mashkull dhe femër”-u shpreh Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë