Njerez

Fizikani Artan Boriçi humbi betejën me Covid-19

Fizikani dhe profesori i njohur i Universitetit të Tiranës, Artan Boriçi, nuk i ka mbijetuar dot Covid-19, duke ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare.

Boriçi humbi betejën me virusin vdekjeprurës mbrëmjen e 25 marsit.

Nëpërmjet një njoftimi, Akadamia e Shkencave shkruan se kjo është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës.

“Është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19. Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale”, shkruan Akademia e Shkencave për humbjen e profesorit Boriçi. 

Fizikani Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.

I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, në vitin 1996, ndërkohë titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj e ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Revieë D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.

Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërrmijave elementare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë