Muzike

Fituesi i Sanremos heq dorë nga Eurovizioni/ Olly: Ky vendim është mënyra ime për të dëgjuar veten

Nga Gazeta “SI” – Fitues i çmimit të parë në festivalin e Sanremos, Federico Oliveri, i njohur me emrin Olly, ka njoftuar se është tërhequr nga përfaqësimi i Italisë në Eurovision. Nëpërmjet instagramit të tij ai ka njoftuar se ka hequr dorë nga Eurovisioni edhe pse është i vetëdijshëm se kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë.

“Kam vendosur të heq dorë nga mundësia për të marrë pjesë në Eurovision, me vetëdijen se është një nga ato gjëra që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë. Falenderoj ata që më votuan dhe më dhanë mundësinë të kem këtë privilegj: Shpresoj t’ju shoh së shpejti në një nga koncertet e mia për t’ju kthyer gjithë dashurinë që marr këto ditë”, shkruan Olly.

Ai thotë se arsyeja e heqjes dorë është një përqëndrim më i madh tek vetja dhe koncertet e tij, e gjithashtu i uron sukses artistit që do ta zëvëndësojë.

“Për mua, ky vendim është mënyra ime për të dëgjuar veten dhe ndoshta edhe mënyra ime e shtrembër për të thënë faleminderit. Disa do të thonë se po heq dorë nga një ëndërr, mirëpo mendoj se thjesht kam zgjedhur ta jetoj atë në kohën time.

I uroj një fat të madh kujtdo që zë vendin tim: muzika në Itali është plot me artistë të mrekullueshëm dhe kasti i këtij viti është prova më e sinqertë e kësaj. Gjithmonë besoni! Diçka po ndryshon dhe është e qartë për të gjithë.

Ju përqafoj dhe shihemi në turne, Federico”

Federico Olliveri u kurorëzua fitues i Sanremos natën e 16 shkurtit me këngën “Balorda Nostalgia”. Ai u dallua për stilin rinor të ndërthurur me traditën e këngës italiane çka i dhanë atij dhe suksesin e madh.

Ndërkohë televizioni RAI ka reaguar ndaj këtij vendimi duke i shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë në Sanremo e gjithashtu duke i uruar suksese dhe një karrierë të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë