Gazeta si – Karlos Sainz dhe Ferrari rrëmbejnë skenën në Çmimin e Madh të Australisë, gara e tretë e Botërorit të F.1. Ditën e kthimit në normalitet për Vershtapen, i detyruar të tërhiqej për shkak të problemeve me frenat, spanjolli e kaloi në xhiron e 4-t dhe pastaj u shkëput drejt një suksesi, që nuk u vu asnjë moment në diskutim.
Në shkallën e dytë të podit u ngjit Sharl Leklerk, duke sigluar kështu dopietën e Ferrarit, që mungonte prej garës së Bahrejnit në vitin 2022. Në vend të 3-të Lando Norris, i ndjekur nga shoku i skuadrës, Oskar Piastri. Në fund frikë për Xhorxh Rasëll, që u përplas në kthesën 8, ndërsa ‘virtual safety car’ ngriu pozicionet në xhiron e fundit.
E papritura këtë herë ndodhi me Red Bull-in në xhirot e para. Defektet në skuderinë austriake janë shumë të rralla. Ndodhi në Australi dhe Ferrari përfitoi menjëherë me Karlos Sainz, i cili parakaloi Vershtapenin e tradhtuar nga frenat e RB20. Holandezi u detyrua të tërhiqej, diçka që nuk ndodhte prej dy vitesh.
CARLANDO. 🙏#AusGP 🇦🇺 pic.twitter.com/Ykyy7vZGFk
— McLaren (@McLarenF1) March 24, 2024
Me dhimbjet që la pas operacioni i apendicitit dy javë më parë, duke i mohuar garën e Jedah, Sainz ka rigjetur buzëqeshjen me shkallën më të lartë të podit. Spanjolli nuk fitonte që nga shtatori 2023 në Singapor, hera e fundit kur Red Bull-i nuk kishte pasur sukses.
Një buzëqeshje e dyfishtë për Ferrarin, sepse në krah të Sainz ishte Leklerk, me francezin që vuajti për t’u mbrojtur nga dy makinat MekLaren të Norris dhe Piastrit.
The top 10 in Melbourne 🇦🇺#F1 #AusGP pic.twitter.com/TP4qRBc83Y
— Formula 1 (@F1) March 24, 2024
Në ‘top 5’ Serxho Perez, që nga Melburni dërgon një kartolinë zhgënjyese për Red Bull-in, skuderinë kampione bote që duket anonime pa Maks Vershtapen në pistë. Në zonën e pikëve edhe Fernando Alonso, që me Aston Martin kaloi finishin para Stroll, Tsunoda dhe Hulkenberg e Magnusen.
Zhgënjim edhe për Ljuis Hemilton, i tradhtuar në gjysmën e garës nga Mercedesi, ashtu si dhe Rasëll në fund. Anglezi humbi drejtimin e makinës dhe u përplase me muret mbrojtëse, duke bërë që xhiroja e fundit të bëhej me ‘virtual safety car’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.