Sport

Fiton Fury me pikë, por Ngannou rrëmben skenën me hedhjen në tapet të kampionit

Gazeta Si – Në sfidën ekzibicion të Riadit kundër ish-kampionit të peshave të rënda të MMA-së, ylli i boksit rrezikoi të turpërohej keq. Pastaj fitoi me pikë. Në dhjetor ndeshja e madhe kundër Usyk.

Tyson Fury mundi me pikë Francis Ngannou, ish-kampionin e botës të peshave të rënda të arteve marciale mikse në UFC. Vëmendjen e mbrëmjes në fakt e mori Ngannou, debutues në boks, pasi me një goditje precize e hodhi në tapet kampionin në raundin e 3-të të ndeshje së organizuar në Arabinë Saudite.

Fury, që pasi e pa veten në tapet iu desh të boksonte me shumë kujdes, u kënaq me vetëm 1 pikë avantazh në fund (95-94) në kartonin e gjyqtarit të tretë.

Boksieri britanik, 35 vjeç, e pranoi se sfidanti e kishte nxjerrë jashtë ekuilibrit. “Është një njeri shumë i fortë, një boksier i mirë që e respektoj shumë”, - tha Fury për Ngannou, duke shtuar më pas: “Me shumë mundësi, ndeshja ime më e vështirë në 10 vitet e fundit”.

Nuk kishte titull në lojë në Riad. Ishte një ‘show’, që bën pjesë në iniciativat e sauditëve për ta akredituar vendin e tyre si pikë referimi të ndeshjeve të mëdha. Fury u bind ta pranonte këtë ndeshje me 50 milionë stërlina, por ka në program një tjetër ndeshje më të rëndësishme në Riad. Në dhjetor do të ndeshet me ukrainasin Oleksandr Usyk, që aktualisht mban tre tituj të tjerë botërorë dhe që e ndoqi ndeshjen pas Kristiano Ronaldos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë