Pak orë pas zyrtarizimit të fitores, Lulzim Basha iu është drejtuar me një mesazh të gjithë demokratëve që i besuan atij për herë të tretë drejtimin e partisë.
Kryedemokrati falënderoi edhe tre kandidatët rivalë, për të cilët tha se e bënë garën të vërtetë dhe reale. Duke ju shprehur mirënjohjen, ai kërkoi që të gjithë të bashkojnë energjitë.
“Mirënjohja ime shkon edhe për tre kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë , sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme, por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”, - deklaroi kryetari i PD.
Basha u shpreh i sigurt kur tha se PD do të luftojë “për të përmbushur atë që është qëllimi për të cilin jemi krijuar dhe rrojmë si parti, një Shqipëri demokratike Ne do të luftojmë çdo ditë, për çdo shqiptar, kundër çdo padrejtësie. Të gjithë bashkë do luftojmë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”, - theksoi ai.
Pavarësisht nga akuzat e rivalëve në garën për kreun e PD, Basha tha se “procesi zgjedhor brenda partisë ishte unik, falë të cilit edhe njëherë Partia Demokratike ngrihet në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj. Ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, vlerat mbi të cilat ngrihet kjo familje e madhe politike. Ato të garës, të lirisë dhe të meritokracisë. Që sigurisht ne duhet dhe do t’i përsosim edhe më shumë në muajt në vijim”.
Sipas Bashës, demokratët me votën e tyre të qartë, refuzuan të njihnin masakrën zgjedhore të 25 prillit.
“Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi! Me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 prill”.
Ai shtoi se rruga e zgjedhur, është ajo e drejta, por edhe më e vështirë në këtë ditë të rëndësishme dhe bëri thirrje edhe një herë për sulmin kundër regjimit aktual.
“Është koha për ne të hidhemi edhe njëherë në betejë. Edhe njëherë për demokracinë, edhe njëherë për Shqipërinë edhe njëherë për shqiptrarët, deri në largimin e kësaj pakice që mban peng vullnetin e tyre. Padyshim, ajo që na pret përpara nuk është më e lehtë se ajo që kemi lënë pas. Unë e di që bashkë me shumicën e shqiptarëve, ne do ta rrëzojmë këtë regjim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.