Rend dhe Ligj

Firmat piramidale online, agjentë policie u infiltruan në rrjet si investitorë

Gazeta Si – Pas sinjalizimeve në rrugë operative, agjentë të policisë janë ifltruar në mes të rrjetit mashtrues që funksiononte përmes platformave online dhe kriptomonedhave.

Pas hetimeve disa mujore, u ushtruan 83 kontrolle në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe sipas policisë, të arrestuarit ishin ata të cilët rekrutonin qytetarë dhe i bindnin që të investonin në firmat piramidale online.

Ndërsa organizatorët nuk janë kapur dhe policia sqaroi se këta persona janë në fazë hetimi. Por si u arrit të zbulohej ky grup që mashtronte qytetarët për të investuar online në platforma fantazmë?

Burime paraprake, kanë të ditur se në këtë skemë ishin infiltruar agjentë të policisë. Këta të fundit ishin futur në skemë dhe kanë bërë të mundur zbërthimin e rrjetit.

Agjentët e policisë, hiqeshin si qytetarë për të investuar në kriptomonedha, si USDT dhe TRON, duke krijuar idenë te organizatorët se përmes këtyre investimeve, do të shumëfishonin fitimet e tyre.

Të arrestuarit kishin rol kyç në rekrutimin dhe orientimin e tyre, përmes grupeve të mbyllura në “Telegram”. Aty udhëzoheshin si të investonin në kriptomonedha.

Deri tani policia nuk bërë të ditur sa persona janë mashtruar apo sa është shuma e parave të investuara. Por hetuesit, kanë dyshime të forta se janë mijëra qytetarë të mashtruar dhe rrjeti ka funksionuar në disa qytete.

Edhe në Tiranë mendohet të ketë një numër të lartë të qytetarëve që kanë investuar në këto firma piramidale online.

Të arrestuarit janë Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe. Kurse në kërkim janë shpallur E.Sh. 35 vjeç dhe A.Sh. 35 vjeç.

Alarmi për këto mashtrime online u dha nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike që në gusht. Tre platformat TXEX, XUEXA dhe Grokrexduu, reklamoheshin si aplikacione për investime në kriptovaluta, edhe pse nuk janë të regjistruara apo të licencuara në vendin tonë.

Ata përdornin reklama joshëse dhe të rreme në rrjetet sociale, krijimin e grupeve të komunikimit në Telegram, WhatsApp apo Signal, si dhe prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë