Filmi me metrazh të shkurtër “Vulë” i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe me regji nga Valmir Tertini ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë” në kategorinë “Filmi Ndërkombëtar”, në “Samskara International Film Festival”.
Këtë e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Filmi ka udhëtuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare në botë.
Regjisori Valmir Tertini shprehet për Gazetën “Si”, se filmi “Vulë” ka rezultuar i suksesshëm, pasi ky nuk është çmimi i parë që rrëmben.
“Filmi u publikua në prill të vitit 2019 dhe nisi me premierën zyrtare që kërkohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ne e kishim një çmim akoma pa nis xhirimet, pra për skenarin më të mirë në Itali. Xhiruam në Tiranë e Prishtinë, me aktorë e staf nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Pastaj filmi vazhdoi rrugëtimin nëpër festivale”, shprehet regjisori për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “është shpërblyer prapë për skenar në Neë York, për të vazhduar me çmime të tjera, regjia më e mirë, filmi më i mirë. Po ashtu kemi një çmim për aktoren më të mirë në ‘Ayodha Film Festival’ në edicionin e 14-të”.

Regjisori thekson se ishin nominuar në një kategori dhe u shpërblyen në kategorinë ndërkombëtare, ndoshta për temën që trajton.
“Çmimi i 10-të erdhi nga festivali Samskara, ku u shpërblyem për regjinë më të mirë. Kësaj radhe ishim të nominuar vetëm në një kategori, atë për regjinë më të mirë dhe u shpërblyem në kategorinë ndërkombëtare. Filmi trajton një punonjëse të ambasadës gjermane, meqë po vlerësohet me siguri ju ka bërë përshtypje tema dhe qasja regjisoriale”, thotë ndër të tjera për Gazetën Si regjisori Tertini.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, ajo bën një jetë të shthurur. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe lë dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.
Filmi “Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë.
Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë.
Ky është filmi i pestë i regjisorit Valmir Tertini, që deri tani ka në aktivitetin e tij çmime të ndryshme ndërkombëtare, si dhe disa çmime kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




