Kinema

Filmi i Ylljet Aliçkës – “Lulet Plastike”, simboli i Shqipërisë artificiale

Jeta  e qetë, me nota idilike, ku koha rrjedh ngeshëm dhe mëshirshëm mbi njerëzi, mund të trazohej vetëm nga një lajm që mbërrin nga jashtë kësaj ligjësie. Një ftesë dasme  nga kryeqyteti trazon ritmin e zakonshëm të një çifti të moshuarish,  që jetojnë në fshat. Ngazëllimi është i ngjashëm me atë të fëmijëve, ndërsa ajo që vjen pas është përplasja me një botë më të madhe, më mizore të papërfilljes mondane, në vrullin dhe dukjen e një panairi kotësish.

Fill i të dy botëve – asaj që ende rrotullohet rreth diellit dhe e ndjen thirrjen e dheut nën këmbë dhe asaj që rrotullohet rreth vetes dhe së sipërfaqshmes –lidhet prej luleve plastike, simbol i fortë i shoqërisë shqiptare në tranzicionin e gjatë prej më se çerekshekulli.

“Po, në një farë mënyre orientimi i shoqërisë nga artificialiteti, sipërfaqësorja dhe shmangie nga thjeshtësia e gjërave. Në fund të fundit zhgënjimi apo lumturia te secili nga ne kushtëzohet  nga pritshmëria që kemi ndaj realitetit. Thënë ndryshe, sa më pranë reales t’i kemi pritshmëritë aq më pak gjasa ka të zhgënjehemi shpirtërisht”, rrëfen  Ylljet Aliçka, skenarist dhe regjisor i filmit “Lulet Plastike”, i cili pak ditë më parë u vlerësua si filmi më i mirë me metrazh të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Korçë.

Ylljet Aliçka ndërsa merr çmimin në Festivalin e Filmit në Korçë.

Filmi, i cili ka marrë jetë nga një tregim i Aliçkës, i titulluar “Çifti”  ndalet të rrëfejë një ditënatë nga jeta e një çifti të moshuarish, interpretuar nga aktorët Robert Ndrenika e Suzana Prifti. Një festë dasme tek të afërmit në qytet i vë përballë mospërfilljes së jetës mondane, të cilat shpërfaqen tek rolet e interpretuar nga Gent Hazizi e Elia Zaharia.

Është kjo shpërfillje me nota gati përbuzjeje që e bën çiftin të gjejnë te njëri-tjetri atë ngrohtësi, që duket sikur moderniteti e ka rrafshuar. Por filmi, thotë Aliçka, nuk ka qëllim moralizues.  “Është “ftesë” për të rigjetur shijen e jetës te ngrohtësia njerëzore, në të gjitha nivelet e hierarkisë shoqërore. Dhe ndoshta  pavetëdijshëm, për mua është një histori e vërtetë dashurie.”

Portretet e fuqishëm të dy aktorëve, gjuha e trupit me çiltërsinë e një përqafimi, përkujdesja  gati amësore e gruas për burrin e saj me të cilin ka ndarë një jetë, sytë e mbushur në  lot të Ndrenikës në skenën e fundit të filmit të bëjnë të mendosh se kemi harruar të jetojmë e duhet të ndalemi të marrim esencën e jetës edhe në kënaqësinë e gjërave të vogla.

Por nën këtë histori dashurie që qendërzon filmin,  autori prek një fenomen më të hidhur se shpërfillja. Lulet artificiale – dhurata që çifti i moshuar çon në dasmë – janë simboli i shoqërisë shqiptare të pas viteve ’90. Varfëria e një shoqërie që i iku natyrës duke menduar se artificialiteti do i  bënte më modernë.

“Lulet plastike rrojnë më shumë dhe ngjajnë si të vërteta.”,  kjo batutë e aktores Suzana Prifti flet ende për shoqërinë tonë gjithnjë e shqetësuar për dukjen, për opinionin e tjetrit dhe imitimin pa shije të realitetit.

Në këtë film Aliçka ka shpalosur tre dimensione të tij;  shkrimtarin i cili frymëzoi skenaristin për të përshtatur tregimin “Çifti” e më pas skenaristi që pasuroi regjisorin me narracionin dhe regjisori që ofron për kinofilët  rrëfenjën  në imazhe.

Aktorët Suzana Prifti dhe Robert Ndrenika

“Nuk  ndodh shpesh që njeriu të bëjë në jetë atë që dëshiron. Përpiqem “të aventuroj” dhe në kinematografi, sadoqë kjo është më e vështirë në raport me letërsinë, por që sipas mendimit tim ka mjaft gjëra të përbashkëta. Pa qenë profesionist në fushën e regjisë, them se spektatori në sallë  ka prioritare narracionin, ngjarjen, mesazhin e dukshëm a të padukshëm e më pas efektet filmike, teknikat regjisoriale, planin e kamerës...të cilat në fund të fundit të gjitha duhet të jenë në funksion të idesë.”- është i mendimit Aliçka, i cili thotë se e ka ndihmuar autorësia e tregimit apo skenarit të shkruar prej tij. “Nga ky këndvështrim kam privilegjin të jem më pranë përcjelljes së mesazhit.”- thotë ai

Me një fotografi të pasur e pak dialog, filmi “Lulet plastike” duket sikur ka marrë një ndikim të fortë nga shkolla franceze, vend ku autori ka shërbyer për disa vite si ambasador i Shqipërisë. 

“Në një farë mënyre,profesionistë ose jo,  të gjithë jemi nën ndikimin e shkollave e rrymave të njohura dhe jo vetëm kinematografike. E veçanta qëndron se si e shpërfaqim apo imitojmë këtë ndikim.” – thekson Aliçka, ndërsa zbulon se vetë parapëlqen shkollën evropiane të kinematografisë kryesuar nga emra si   Zhan-Lyk Godard,  Federiko  Felini, Abdelatif Keshish, Olmi, Moniçeli, Lars von Trier, Bergman apo Tarkovski.

Një nga elementët kyç të filmit është edhe kimia që aktorët Ndrenika e Prifti kanë me njëri-tjetrin ku plastika e tyre flet sa njëmijë fjalë.

Aliçka rrëfen se aktorët i ka përzgjedhur pa audicion.  “Më ndihmon qenia autor i tregimit, pra deri diku e di ku duhet të dal. Natyrisht pata parasysh dhe  madhështinë e talentit të tyre, që pa hezitim them se më kompensuan amatorizmin tim regjisorial.” Ishte ky film i Aliçkës që e ktheu edhe njëherë Ndrenikën në një projekt kinematografik.

Megjithëse i  lokalizuar në Shqipëri,  (xhirimet janë bërë në fshatin Shën Gjergj dhe në Tiranë) filmi mund të ishte fare mirë  i vendosur në çdo shtet apo shoqëri tjetër, ku përplasen varfëria ekonomike me tëhuajsësimin nga ndjenjat e çiltra, që e përkufizojnë qenien njerëzore.

A është çifti i Aliçkës një relikte e marrëdhënies së vërtetë mes dy njerëzve, e destinuar të zhduket në këtë botën postmoderne?

https://www.youtube.com/watch?v=KDyU4znkhZQ
Muzika e filmit "Lulet Plastike" është kompozuar nga Joni Aliçka

“Kam përshtypjen se më shumë se sa ne, përgjithësisht shoqëritë perëndimore janë më të ndjeshme ndaj vlerave bazike, të ngrohtësisë njerëzore a marrëdhënieve shpirtërore. Them kështu dhe nga vetë reagimet e përshtypjet  që kam parë nga shfaqja e filmit jashtë vendit.” –thotë  Aliçka, i cili rrëfen se filmi është prezantuar edhe në disa festivale të tjerë ndërkombëtarë,  përpara atij të Korçës.  “Filmi ka qarkulluar dhe është selektuar në disa festivale ndërkombëtarë, Nju Jork (laureuar me çmim), Los Anxhelos, Prizren, Obanje (Francë), Roterdam, La Spezia në Itali.”

Arsyeja pse zgjodhi që ky film të jetë me metrazh të shkurtër – pasi Aliçka është skenarist i një sërë filmash me metrazh të gjatë si “Parrullat”,  “Kronikë Provinciale” apo “Ndërkombëtarët” –ishte kryesisht financiare, sepse siç zbulon ai vetë “  projekti mori buxhet për film  të shkurtër: një milion lekë.”

Por nuk janë financat e pakta ato që e kufizojnë krijimtarinë e kineastëve shqiptarë sipas Aliçkës. “ Nuk jam i mendimit se kinemaja shqiptare do lulëzojë menjëherë sapo t’i krijohen kushtet e nevojshme financiare. Mendoj se ka shumë faktorë të tjerë. Personalisht i jap përparësi skenarëve të mirë, idesë, pra temave të goditura.” – thotë ai, ndërsa për vite të tëra kineastët shqiptarë duket se kanë notuar në ujërat e pasqyrimit të shoqërisë në tranzicion dhe fenomeneve që e kanë përkufizuar atë.

Aliçka zbulon se është duke punuar së fundi mbi një skenar për një film me metrazh të gjatë “me të cilin kam aplikuar tashmë brenda dhe jashtë vendit”, ndërsa ka në duar një roman, të cilin shpreson ta mbyllë brenda këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë