Damian Gjiknuri e tha disa herë në daljen e tij për mediat të premten, se shkarkimi i tij nga detyra e lartë partiake nuk vinte si pasojë e aktivitetit politik.
Ai tha se PS-ja në drejtimin e tij si Sekretar i Përgjithshëm kishte arritur fitore historike dhe se vetë ai si drejtues politik i Elbasanit nxori fitues kandidatët e PS në të 7 bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Gramsh, Belsh, Prrenjas dhe Librazhd.
Fillimisht Gjiknuri e justifikoi shkarkimin me lëvizjet paralele që Rama bën herë pas here, duke iu referuar post zgjedhjeve të 2021 kur PS-ja fitoi bindshëm.
Megjithatë sa herë që përpiqej të gjente proverbin e Ramës te shkarkimi, aq herë ai e përsëriste se kishte çuar partinë në rezultate historike.
Atëherë pse ky shkarkim i beftë kur Rama mund të priste shtatorin atëherë kur do të mbahet edhe Kongresi i Jashtëzakonshëm? Çfarë mund të bëjë Blendi Klosi më shumë sesa kolegu i tij në një kohë të shkurtër pushimesh (gushti para) deri në vjeshtë?
Kur Klosi (ngjitur tij) fliste për riorganizim baze deri në fshatra, Damian Gjiknuri e kishte mendjen gjetkë.

Ai u pa me një deng letrash në tavolinë për të lëshuar mesazhet për të ardhmen e tij në politikë, por edhe piskamat ndaj shefit të ekzekutivit kur foli për inceneratorët.
Damian Gjiknuri e hoqi përgjegjësinë e tij ligjore nga ky debat. Ai tha se roli i tij në këtë proces ishte periferik, se nuk kishte propozuar impiantin e djegësave dhe mbi të gjitha nëse nuk do të autorizonte ngritjen e tyre sipas vendimit të qeverisë, ai do të kishte shkelur ligjin.
Gjiknuri tha se ishte i hapur për drejtësinë edhe pse ajo “nuk e kishte thirrur asnjëherë”, se ishte “i pastër” në historikun e pasurive të cilat “ia kishin kontrolluar tre herë”, se kishte njohje me bosët e inceneratorëve Zoto dhe Mërtiri, porse kjo “nuk e përfshinte në krim’” e deri tek fakti se dy “njollat” e tij të udhëtimeve të paguara nga emrat e mësipërm “nuk janë të vërteta”.
Damian Gjiknuri “e lau” veten e tij si nga procesi për inceneratorët për të cilat akuzohet aq fort nga opozita, por edhe tek përgjegjësitë që ai ka marrë ndër vite në PS.
Ai tha se është deputet i PS-së dhe se do të vijojë të kontribuojë për Partinë Socialiste.
Por mesazhet e tij për të ardhmen në politike ishin deri diku të dukshme.

Jo vetëm një herë, Gjiknuri tha se ajo që duket si fundi për të “do të jetë fillimi i një diçkaje të re”.
Politikisht Gjiknuri nuk mund të arrijë më shumë se aq. Ai ka qenë në disa detyra të larta në PS, së fundmi Sekretar i Përgjithshëm, i dyti në hierarkinë drejtuese pas kryetarit dhe ka mbajtur post ministror po aq të rëndësishëm.
Gazetarët i kujtuan se i ka mbetur pa qenë Kryetar i PS dhe Kryeministër, por Gjiknuri i tha se këto janë vetëm fantazi të tyre.
Atëherë çfarë të rejash po paralajmëron Gjiknuri? Daljen e tij nga politika?
“Fillim do të thotë një dimension i ri në jetë… jeta të ofron shumë surpriza”, tha rrëmujshëm Gjiknuri pa dashur të specifikoje ‘të rejat e tij’ në të ardhmen.
“Më mirë është bërë për mua sa herë ka pasur ngjarje të tilla”, vijoi ai.
Gjiknuri përsëriti se do të jetë vetvetja dhe se kontributi i tij për PS-në nuk do të ndryshojë. Por se nga cili pozicion ai nuk e tha.
Gjiknuri kish mësuar këto vite në PS se “duhej të kesh besim tek vetja”, por edhe aksiomën politike se, “një post drejtues të nxjerr edhe dobësitë e karakterit”, sa duket referuar shefit të tij.
Gjiknuri qartësoi pozicionin nga vetja kur tha se marrëdhënia e tij me Edi Ramën ishte e qëndrueshme duke kujtuar dy dekada me të.
Për më shumë, ai orientoi median ta pyesin Ramën që sa duket nuk e sheh njësoj partneritetin kur vetëm para pak kohësh referuar një tjetër bashkëpunëtori të tij të ngushtë, Arben Ahmetajt, Rama tha se, “nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar”. / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.