Futboll

FIFA publikon shifrat e merkatos 2023, rekord me 9 miliardë dollarë të shpenzuara

Gazeta Si – Në 2023-shin e futbollit janë bërë 74.836 trasferime, një rekord absolut ky. Rreth 23.689 (31.7%) e këtyre trasferimeve u takojnë profesionistëve (meshkuj dhe femra), kurse 51.147 të tjera (68.3%) lidhen me futbollin diletant.

Janë të dhëna që dalin nga edicioni 2023 i ‘Global Transfer Report’, i publikuar sot nga FIFA. Pas rënies së shpenzimeve në 2020-ën dhe 2021-shin për shkak të pandemisë, në 2023-shin klubet kanë shpenzuar në total 9.63 miliardë dollarë, me një rritje prej 48.1% në raport me 2022-shin, duke thyer rekordin e mëparshëm të 2019-ës me më shumë se 2 miliardë dollarë.

Joshko Gvardiol, 90 mln euro te shpenzuara nga Siti

Vetëm 10 trasferimet kryesore të lojtarëve kanë gjeneruar më shumë se 10% të shumës totale të shpenzuar në 2023-shin. Klubet angleze janë sërish në krye të listës, me 2.96 miliardë dollarë të shpenzuara në merkato. Italia ka shpenzuar 757.6 milionë dollarë.

Ka një rritje të ndjeshme të investimeve nga Arabia Saudite, që në 2023-shin shpenzoi 970 milionë dollarë, kundrejt 50 milionë dollarëve të investuara në 2022-shin.

Klubi që ka shpenzuar më shumë në Europë është Çelsi, i ndjekur nga PSG dhe Liverpuli. Lojtari më i shtrenjtë i 2023-shit ishte Xhud Belingham, që kaloi nga Borusia Dortmund te Real Madrid verën e kaluar për 103 milionë euro. Dhjetëshen e mbyll Sandro Tonali, për të cilin Milani përfitoi 70 milionë euro nga Njukastëlli.

Herri Kejn, 95 milione euro te shpenzuara nga Bajerni

Vazhdon rritja, sipas raportit, në futbollin profesionist të femrave, me më shumë se 20% trasferime më shumë në krahasim me 2022-shin. Edhe numri i klubeve të përfshira në trasferimet ndërkombëtare ka kaluar nga 507 në 2022-shin në 623 në 2023-shin, me një rritje 22.9%. Numra që reflektojnë hapat e mëdhenj përpara në futbollin e femrave.

Në 2023-shin, më shumë se 50.000 lojtarë diletantë janë trasferuar përtej kufirit. Rreth 91.7% e tyre janë meshkuj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë