Futboll

FIFA paralajmëron Brazilin: Zgjedhje të rregullta, ose rrezikoni pezullimin!

Gazeta Si – Pas shkarkimit të presidentit Ednaldo Rodrigues për dyshime për mashtrim elektoral, federata botërore i ka dërguar një letër Federatës Braziliane të Futbollit, duke e paralajmëruar për rreziqet dhe pasojat e ndërhyrjeve politike në emërime.

FIFA dhe Federata e Amerikës së Jugut (Conmebol) kanë kërcënuar me anë të një letre Federatën Braziliane të Futbollit se do ta pezullojnë nga kompeticionet ndërkombëtare Brazilin dhe klubet, nëse nuk zgjidh për një kohë të shkurtër dhe pa ndërhyrje të jashtme çështjen e presidentit të federatës. Një lëvizje që vjen pas sentencës së Trupës së Drejtësisë së Rio de Zhaneiros, që më 7 dhjetor shkarkoi Ednaldo Rodrigues nga presidenca e federatës për parregullsi të dyshuara në zgjedhjen e tij.

Federatat “që janë pjesë e FIFA-s duhet t’i adminsitrojnë punët e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndikimin e palëve të treta”, – shkruhet në letrën e FIFA-s, që jep edhe një paralajmërim për autoritetet futbollistike braziliane.

“Rregullat janë të qarta. Ndërhyrja e forcave të jashtme nuk lejohet në asnjë mënyrë”, – i ka thënë AFP-së një burim i brendshëm pranë Federatës Braziliane të Futbollit. FIFA dhe Conmebol do të dërgojnë një delegacion në Rio de Zhaneiro më 8 janar për të gjetur një zgjidhje për krizën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë