Katar 2022

FIFA detyron Belgjikën të modifikojë fanellën, zhduket fjala ‘Love’

Gazeta Si – Belgjika nuk mund të japë mesazhin e dashurisë universale “Love”, që ishte qepur në fanellën e saj për ndeshjet në transfertë, afër pjesës së qafës. FIFA, pas ndalimit të shiritit-ylber, ka detyruar belgët që të modifikojnë fanellën e dytë, që ata e kishin prezantuar në shtator, në bashkëpunim me ‘Adidas’ dhe ‘Tomorrowland’.

“Na kanë thënë se shkrimi “Love” duhet të zhduket nga fanella jonë”, – është shprehur Peter Bossaert, kreu i Federatës Belge të Futbollit, në një intervistën për të përditshmen lokale ‘Nieuwsblad’.

Fanella e Belgjikës. Gazeta Si, 22 nëntor 2022

Në fillim shiriti, tani edhe fanellat, pa përmendur tifozë e gazetarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në stadium vetëm se mbanin veshje apo kishin lyer flokët me ngjyrat e ylberit. FIFA e ka fituar ‘mundjen e dorës’ me kombëtaret europiane, që synonin të protestonin ndaj stereotipeve me anë të simbolit të gjithëpërfshirjes.

Arsyetimi i organit që drejton futbollin botëror është i qartë: përpara një përfitimi prej 6 miliardë dollarësh, të drejtat e njeriut për 20 ditë mund të dalin në plan të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë