Familjarët e Bajram Ramaj nga lagja “1 Maj” në Fier kanë kryer sot kallëzimin penal në Prokurorinë e Fierit ndaj Spitalit Rajonal në Fier, pasi djali i tyre 43-vjeçar Besnik Ramaj, ka ndërruar jetë në datë 23 dhjetor.
Familjarët e të ndjerit janë shprehur se kanë kryer sot në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë në Fier një kallëzim penal për mjekët e urgjencës në spitalin rajonal, për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.
Familjarët thonë se viktima ka shkuar rreth orës 01:00 të natës në urgjencë dhe rreth orës 6 të mëngjesit ka ndërruar jetë.
Në momentin e vdekjes nuk është bërë autopsia e trupit të 43-vjeçarit, pasi familjarët nuk e kanë kërkuar. Sipas familjarëve, 43-vjeçari vuante nga diabeti.
Por burime nga Spitali i Fierit, pohojnë se janë kryer të gjitha ekzaminimet për 43-vjeçarin. “Familjarët kanë marrë përsipër të gjitha risqet për ta transportuar për në Tiranë, edhe pse nuk është këshilluar nga mjekët. Familjarët ndërkohë nuk kanë pranuar që të kryhet autopsia për trupin e të ndjerit”, – shprehen burime nga Spitali Rajonal në Fier.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




