Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” është rikthyer për të 23-tin vit radhazi në qytetin e Elbasanit, duke vijuar në këtë mënyrë traditën e pandërprerë të prurjeve të artit skenik me larmi stilesh e formash të reja.
Festivali ka nisur rrugëtimin e tij me trupën e Kosovës. Në mbrëmjen e 30 shtatorit në teatrin “Skampa” është shfaqur “Totem dhe Tabu”, e zhanrit Dance-Teatër nga trupa artistike e Artpolis në Prishtinë.
Pjesë e “Skampa 2021”, do të jenë nëntë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Italia, Lituania, Serbia dhe Turqia, si dhe një sërë personalitetesh – specialistë të shquar të teatrit nga vendi dhe bota.
Drejtori artistik i festivalit, Adonis Filipi, tregon për Gazetën “Si” si ka lindur ky festival dhe çfarë e dallon nga festivalet e tjera.
“Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor ‘Skampa’ është një festival i përvitshëm, në të cilin nuk ndahen çmime. Është një festival kompetitiv më shumë për të shkëmbyer eksperienca teatrore. Teatri nuk rri statik, është në ndryshim, ndaj dhe festivali përfaqëson një udhëtim aventure drejt koncepteve artistike dhe perspektivave teatrore të reja, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave bashkëkohore, si në skenat shqiptare edhe në ato ndërkombëtare”, shprehet regjisori Filipi për Gazetën “Si”.

Ashtu si çdo vit që vjen me një slogan të ri, këtë herë edicioni i 23-të i Festivalit “Skampa” mban titullin “Teatër Tre/ Theater three”.
“Për këtë titull jemi frymëzuar nga një legjendë irlandeze që ka në fokus shpresën duke e lidhur dhe me pjesën e pandemisë për t’u dhënë njerëzve shpresë. Në këtë kontekst, ai vjen si një akt sfide përballë situatës së vështirë të pandemisë – përmes Besimit, Dashurisë dhe Shpresës, si dhe njëkohësisht vjen si një model për t’u përditësuar me kohën, për t’u akorduar e ndryshuar më tej”, vijon më tej drejtori artistik i festivalit.
Sipas regjisorit Adonis Filipi, “Teatri u ka mbijetuar shumë plagëve dhe epidemive para nesh dhe do t’i mbijetojë shumë epidemive pas nesh”.
Filipi shton më tej se festivali vjen edhe si një zë shprese duke hapur portën e tij për publikun, si një mundësi frymëzimi për njerëzit.
Shfaqjet do të vijojnë në Teatrin “Skampa” deri më 6 tetor. Përpos shfaqjeve që do të ngjiten në skenën e Teatrit “Skampa”, do të ketë gjithashtu shfaqje në mjedise të hapura të qytetit të Elbasanit.
Historiku i Festivalit “Skampa”
Festivali i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” lindi në prag të ndryshimit të shekujve – si i pari takim ndërkombëtar teatror në Shqipëri – në qytetin me traditë kulturore dhe teatrore të Elbasanit, si Mitingu Ndërkombëtar Teatror “Skampa ‘99” (15 – 21 Dhjetor 1999), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Elbasanit. Gjatë 22 viteve të deritanishme janë rreth 300 shfaqje teatrale me larmi stilesh dhe formash artistike të cilat janë bashkuar me Festivalin “Skampa”, ku veç trupave nga Shqipëria, renditen ato nga Kosova, Italia, Anglia, Turqia, Hungaria, Greqia, Franca, Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, SHBA, Bullgaria, Sllovenia, Rusia, Kina, Argjentina, Azerbajxhani, Mali i Zi, Belgjika, Kroacia, Austria, Moldavia, Polonia, Holanda, Suedia, Argjentina, Republika Çeke, Spanja, Kili etj.
Nga edicioni i parë e deri tani, festivali ka shërbyer si një vend trajnimi dhe praktikimi i metodologjive të ndryshme bashkëkohore me studentë të rinj artistë nga Akademia e Arteve, si dhe individë të interesuar për teatrin. Në kuadër të këtij evenimenti zhvillohen dhjetëra aktivitete me karakter arsimor, praktik, teorik dhe teatral, ose të sferës menaxheriale dhe marrin pjesë artistë, specialistë dhe personalitete të shquara nga vendi, rajoni dhe bota, të tillë si: Philip de Moine (Francë), Uëe Hanf (Gjermani), Adriatik Kallulli, Miho Gjini, Vangjush Furxhi, Josif Papagjoni (Shqipëri), Sandy Marberly, Chris Feris (Angli), Bekim Lumi, Jeton Neziraj (Kosovë), Romano Fodai, Pietro Floridia (Itali), Doru Motoc, Maia Morgenstern (Rumani) Roland Hill (SHBA), Tamer Levent (Turqi), Romeo Popiliev, Nevena Miteva (Bullgari), Zoltan Balazs (Hungari), Alicja Borkoëska (Poloni) etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



