Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve “Tirana Gate” nisi të mërkurën, duke bërë bashkë autorë, studiues, nxënës nga gjimnazet e Tiranës dhe më gjerë. Festivali hapi siparin nën moton “Përballë” dhe për 3 ditë me radhë do të debatohet për letërsinë, por edhe për identitetin kombëtar.
Festivali në edicionin e tretë me drejtore Irena Toçin vjen nën drejtimin artistik të Milena Selimit.
“E gëzuar që së bashku me Irena Toçin mbërritëm në edicionin e tretë. Edhe këtë vit me autorë europianë, ballkanas, autorë me çmime dhe pa çmime, autorë të rinj e autorë të karrierës, histori, ngjarje, argumente kulturorë, socialë, urbanë, dialogojmë për ne dhe ata”, shprehet Selimi.
Në panelin e parë ishin të ftuar shkrimtari e gazetari Enkel Demi, shkrimtari malazez Andrej Nikolaidis, Arian Leka dhe Ivona Djuric nga Serbia.
Tema e këtij paneli ishte: “Ne dhe Ata”- Qiejt e ndarë të Europës. Pse Perëndimi nuk e kupton Lindjen?
Shkrimtarët trajtuan këtë temë në këndvështrimin se, nuk ka rëndësi nëse je malazez, shqiptar, kosovar, rom, serb, i krishterë, mysliman a kushedi se çfarë, ne të gjithë jemi ballkanas.
“A quhet kjo nëmë apo bekimi ynë? Si na shohin ata përtej në Europë? Cilët jemi Ne dhe cilët ata? A është vërtet kaq e ndryshme Europa Juglindore, nga rrethina jonë, nga ajo që është e njohur për ne? Cilat janë distancat e imagjinuara dhe cilat janë distancat reale? Sa të mëdha janë dallimet mes nesh dhe atyre, midis këtu dhe atje? A është ende (apo përsëri!) aktual një diferencim i botës në ‘Lindje’ dhe ‘Perëndim’?”, ishin disa nga pyetjet që u trajtuan nga shkrimtarët dhe poetët.
Ceremonia e çeljes së festivalit u bë në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar. Deri në datën 6 tetor, Tirana do të kthehet në një vendngjarje për librin europian.
Përgjatë 3 ditëve do të ketë shkrimtarë europianë nga vende të ndryshme të Europës qendrore dhe të Ballkanit që do të sjellin eksperiencat e tyre të shkrimit dhe do të debatojnë mbi letërsinë e vendeve të tyre.
Festivali do të vijojë dhe në datat 5 dhe 6 tetor, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Festivali nuk ka si qëllim shitjen e librit, marketimin e tij apo të evidentojë më të mirët si në konkurse.
Misioni i këtij eventi në Tiranë është dialogimi, mes kulturave, mes gjuhëve të ndryshme, mes rreshtave të librave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.