Nga Gazeta “SI”- Festivali i 64-të i Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e parë dhe, për katër netë me radhë, synon të prezantojë para publikut jo vetëm këngët konkurruese, por edhe rikthime nostalgjike, si dhe të ftuar specialë që i japin një larmi të nevojshme eventit më të madh të muzikës së lehtë shqiptare.
Nën prezantimin e aktorit të humorit Salsano Rrapi dhe këngëtares Arilena Ara, duket se ideja e organizatorëve ka qenë krijimi i një “shoqërimi” mes humorit, sarkazmës dhe sharmit të Aras. Por, të paktën në natën e parë, kjo ide mbeti më shumë në letër sesa në skenë. Që në minutat e para u vu re një mungesë e theksuar kimie mes dy prezantuesve, e cila u reflektua drejtpërdrejt edhe te publiku.
Batutat e vakëta të Salsanos dhe ngrirja emocionale e Arilenës nuk u kombinuan në asnjë moment përgjatë gjithë mbrëmjes, duke e kthyer komunikimin mes tyre në një marrëdhënie të ftohtë, skematike dhe pa puls. Duke pasur parasysh edicionet e mëparshme dhe kohëzgjatjen prej katër netësh, mund të shpresojmë se kjo marrëdhënie do të konsolidohet dhe “akujt” do të shkrihen, por nata e parë, fatkeqësisht, ishte deri diku për t’u harruar.

Arsyet janë disa. Së pari, batutat e Salsanos, shpeshherë gati personale, ngjanin më shumë me prezantimin e miqve në një festë familjare sesa me një event madhor publik, ku individualja duhet të shkrihet në kolektive. Rasti i prezantimit të jurisë është ilustrues: për thuajse secilin prej tyre, etiketa “miku im” u përdor me një lehtësi të tillë, sa krijonte përshtypjen sikur përzgjedhja ishte bërë nga vetë ai.
Kulmi i këtij konfuzioni erdhi me batutën gati bajate drejtuar tenorit me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj, duke iu referuar emrit të tij si “emër i fortë” , një përzierje e panevojshme e politikës me artin, që i mbivendosi emrit të madh artistik një krahasim krejtësisht të pavend.
Nga këto detaje të vakëta e pa sens, e deri te thirrja e emrave të artistëve nga Arilena Ara, me një zë të ulët dhe pa ngarkesë emocionale, thuajse si në një akt vakie, u krijua ndjesia e një mos-ngjitjeje të vazhdueshme mes dy figurave kryesore të mbrëmjes.
Duke kaluar te ana artistike, çdo prezantim i artistëve pjesëmarrës shoqërohej me një klip hyrës, ku tentonte të ndërthurej tradicionalja me modernen. Por edhe këtu, efekti ishte i zbehtë. Për shembull, në një moment, artistja Inis Neziri, e veshur me një kostum plot xixha që ngjante më shumë me karnevalet, “pluskonte” me thonj të gjatë mbi një makinë shkrimi Olivetti të shekullit të kaluar. Një skenë që kërciste aq fort konceptualisht, sa edhe improvizimet teatrale të dikurshme në shkollat fillore do të dukeshin më pranë kontekstit kohor. Një improvizim i panevojshëm, thuajse qesharak, sidomos për një klip ku janë investuar kohë, ide dhe, mbi të gjitha, para.

Nga ana tjetër, angazhimi i artistëve në skenë ishte mbresëlënës, si nga prurjet e reja, ashtu edhe nga ata që konsiderohen “big”. Përtej shpendit të balsamosur në kostumin e Sheilës, një detaj krejt i pavend, apo guximit të Erand Sojlit për të ardhur ndryshe, pati edhe momente të vërteta emocioni. Performanca e Sara Kapo apo duartrokitjet e zgjatura për Alis na rikthyen kujtimin e festivaleve të dikurshme, ku publiku mezi priste të shijonte artistët e preferuar.
Kësaj i shtohet edhe skenografia dinamike, ku orkestra ndërthurej me copëzimin e saj, duke krijuar idenë e një godine me kate – një risi interesante në ndërtimin e skenave në Shqipëri.

Në përfundim, nata e parë ishte një test që nxori në pah defektet dhe të metat, por kjo nuk përjashton mundësinë e përmirësimeve. Në katër netë mund të ndodhë gjithçka: nga një raport më organik mes prezantuesve, deri te performanca që priten të jenë më të zjarrta. Të paktën, ky ka qenë edhe një nga kriteret e pranimit këtë vit.
Le të presim dhe të shohim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




