Nga Gazeta “SI”- Festivali i Këngës i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), një nga ngjarjet më të mëdha muzikore dhe kulturore në Kosovë, do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor. Edicioni i këtij viti pritet të sjellë risi, si në organizim ashtu edhe në përmbajtje artistike.
Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, bëri të ditur se përgatitjet kanë nisur shumë më herët krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa interesi i artistëve për pjesëmarrje është i jashtëzakonshëm. Sipas tij, në skenën e festivalit do të ngjiten jo vetëm këngëtarë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e vende të tjera.

“Festivali sjell gjithmonë këngë të reja dhe artistë që publiku nuk i ka parë më herët. Sivjet kemi punuar për të ofruar një show më profesional dhe më të bukur, dhe këto ndryshime do të vërehen sidomos në aspektin organizativ. Pavarësisht sfidave të natyrshme në vendin tonë, jemi në rrugën e duhur falë një ekipi shumë të talentuar dhe serioz,” tha Boshnjaku.
Ai shtoi se synimi afatgjatë mbetet pjesëmarrja në Eurosong, ndërsa eksperienca e fituar gjatë edicioneve të kaluara do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.
Ndërkohë, konkursi për artistët e interesuar të marrin pjesë në festival është i hapur deri më 31 gusht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



