Filma

Festivali i Filmit Polak në edicionin e dytë në Tiranë, me prodhime kinematografike të viteve të fundit

Prodhime kinematografike polake të viteve të fundit po shfaqen në Tiranë. Dramë, komedi, romancë në filmat që janë pjesë e programit në Festivalin e Filmit Polak  “Visua”.

Për publikun po shfaqen filma që janë dhe fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, por pjesë e festivalit janë dhe filma me metrazh të shkurtër që janë realizuar nga studentët.

Agjencia e Industrisë Kreative dhe Tirana Film Office këtë vit zhvillon edicionin e dytë të Festivalit të Filmit Polak, i cili po mbahet nga data 21 prill deri më sot 24 prill në kinema Millennium në kryeqytet, ku nuk mungojnë dhe regjisorë në biseda rreth filmit dhe kinemasë.

Filmi i parë që hapi festivalin ishte ai me titull “Këngë për dashurinë”, dramë, romancë, me regji nga Tomasz Chabowski. Filmi i regjisorit Chaboëski ka fituar disa çmime në Poloni dhe është prodhuar në vitin 2021.

Organizatorët e festivalit, Agjencia e Industrisë Kreative dhe Tirana Film Office shprehen se kinematografia polake ka pasur zhvillime gjatë viteve të fundit. “Si partner kryesor në organizimin e festivalit, AIK dhe TFO janë të lumtur që sjellin në Tiranë industrinë polake të filmit, që gjatë viteve të fundit ka njohur një lulëzim me ritme të shpejta për sa i përket produksioneve dhe kinematografisë në tërësi”, thuhet rreth festivalit.

Festivali i Filmit Polak në edicionin e dytë ka si bashkëfinancues Polish Film Institute.

Filmat e përzgjedhur në program

Pas filmit “Këngë për dashurinë” në ditën e parë, në ditën e dytë në datën 22 në kinema Millennium programi vijoi me filmin “Other People" (Njerëz të tjerë), regjia Aleksandra Terpinska, dramë, 2021. Regjisorja Aleksandra Terpinska ishte e pranishme në Tiranë në shfaqjen e filmit të saj. Pas shfaqjes ajo zhvilloi një diskutim me publikun në sallë. Filmi është fitues i disa çmimeve, ndër to vlerësuar edhe nga “European Film Awards”.

Në filmin “Other People”, Kamili jeton në një apartament të vogël me nënën dhe motrën e tij. Nuk ka asnjë perspektivë për jetën, punon me kohë të pjesshme, merret me drogë. I përhumbur në ritmin ripërtëritës së përditshmërisë që nuk premton për të asgjë të re. Ivona, një grua rreth të dyzetave e mbërthyer në një martesë të dështuar dhe e paaftë për të përballuar jetën. Kërkon harresën duke marrë doza të pakontrolluara ilaçesh kundër depresionit. Një ditë më parë, datë 23, në orën 17:00 programi vijoi me “Prindërit e çiftit” regjia Jakub Michalczuk, prodhim i vitit 2021. Një komedi-dramë, që zhvillohet pas një martese në të cilën nusja dhe dhëndri nuk shkëmbyen "po-në" e shenjtë. Askush nuk e di pse Lukasz, dhëndri, e ndërpreu lidhjen. Skandal, konfuzion, lot... Por të ftuarit që kanë ardhur, disa nga shumë larg - është e udhës të ftohen të paktën për darkë. Mbrapa sallës së dasmës, prindërit e të rinjve takohen - kjo është historia e tyre. Ata vijnë nga dy botë të ndryshme, nga klasa të ndryshme sociale. Malgorzata dhe Andrzej, prindërit e dhëndrit, janë intelektualë polakë të klasës së lartë. Njerëz të arsimuar, të pasur. "Borgjez" do të thoshin dashakeqësit. Wanda dhe Tadeusz, prindërit e nuses, janë njerëz të thjeshtë, të paarsimuar dhe shumë më të varfër. Me pak fjalë, "proletariat". Fillimisht të dy janë të shokuar. Weronika dhe Lukasz, pavarësisht dallimeve mes familjeve të tyre, dukeshin të lumtur dhe të dashuruar, por çfarë ka ndodhur vallë? Sot në ditën e fundit të festivalit programi sjell një bllok filmash me metrazh të shkurtër nga studentët e shkollës së Filmit Krzysztof Kiesloëski të Universitetit të Silesisë në Katowice dhe në orën 19:00 shfaqet filmi “Amatorët” regjia Iwona Siekierzynska, dramë, komedi, prodhim i vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë