“Fem Fest” vjen në Tiranë për herë të parë dhe jo pa qëllim, por për të dhënë idenë e një 8 Marsi ndryshe.
Ky festival që shënon edicionin e parë në Tiranë, vjen me synimin për sensibilizimin e grave dhe për të ndryshuar edhe realitete të trishta në jetën e tyre.
Artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare do të bëhen bashkë nga data 5 mars deri më datë 8 ku nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten apo atyre që nuk dëgjohen.
Drejtoresha artistike e “FemFest”, Ilirjana Basha, thotë për Gazetën “Si” se ky festival do të vijë përmes shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”, por dhe aktiviteteve në mjedise të tjera të kryeqytetit.
Basha është e lumtur që “FemFest” nis rrugëtimin e parë në Tiranë, i cili vjen si një festival për gruan shqiptare.
“Fem Fest’ është festivali i parë feminist dedikuar grave, për sensibilizimin e të drejtave të grave, për të diskutuar dhe trajtuar të gjitha çështjet që na përkasin ne grave, përmes shfaqjeve, ekspozitave, paneleve edhe për gjëra që nuk thuhen”, shprehet Basha për Gazetën “Si”.

Ajo rrëfen se ideja i ka lindur nga një festival që e ka parë para 20 viteve në Sarajevë.
“Festivale të tilla feministe ka në të gjithë botën. Këtu në Tiranë, në 4 ditë të Fem Fest do të kemi panele diskutimi, ekspozita në hollin e Teatrit Kombëtar. Në dytën e dytë do të kemi një ekspozitë In Memoriam për artistet që kemi humbur. Çdo natë në Teatrin Kombëtar dhe Eksperimental do të kemi 5 shfaqje teatrore”, vijon më tej Basha për Gazetën “Si”.
Pjesë e festivalit janë aktore të njohura si Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Zamir Kita që do të jenë në shfaqjet teatrore. Por dhe të ftuara si Vera Ora mjeke psikiatre, shkrimtarja Elvira Dones, politikania Arta Dade etj.
Drejtoresha Basha gjithashtu tregon se pjesë e festivalit është dhe një këngë nga kompozitorja Eriona Rushiti, që vjen me një videoklip dhe bën bashkë zëra të njohur. “Këndon Irma Libohova, Vikena Kamenica, Evi Reçi, Egzona Ademi, etj, këtu marrin pjesë dhe gra të të gjitha profesioneve, gra deputete, police, etj. Promovimin e videoklipit e bëjmë me datë 5 para se të fillojë shfaqja në mbrëmje”, thotë ajo.
Ajo që i përbashkon të gjitha këto artiste është të qenit grua dhe lufta që duhet të bëjmë për të drejtat.
“Të gjitha duhet të bashkohemi për të luftuar. Na bashkon dashuria për të bërë gjëra të bukura bashkë dhe të tregojmë që ne mundemi”, shprehet ajo, ndërsa shton se me “Fem Fest synojmë rizgjimin e reagimit qytetar ndaj problematikave që na shqetësojnë ne grave, sensibilizimin e popullatës për problematikat që hasim”.
Në ditët e festivalit, Iliriana Basha thotë se kanë në vëmendje të bëjnë dhe promovimin e artisteve të reja. “Duke qenë se jetojmë në një botë të egër, të rejat e kanë shumë të vështirë për të depërtuar. Ne po provojmë me mënyrat tona për ti dhënë një shans për të treguar talentin e tyre”, përfundon ajo.
Ndërkohë, në datën 8 mars do të ketë një instalacion në Tiranë me këpucë të kuqe, (instalacion i vendosur në Durrës vitet e kaluara) për të rritur ndërgjegjësimin e për të kujtuar të gjitha gratë e vajzat që nuk janë më.

“Ndryshimi nga vitet e tjera është se instalacioni do të jetë për herë të parë në Tiranë, po ashtu edhe në Berat”, shprehet për Gazetën “Si”, koordinatorja e këtij projekti, Driada Dervishi, e cila thotë ndër të tjera se është shumë e rëndësishme që “me datën 8 mars të japim mesazhe dhe të kontribuojmë disi në ngritjen e zërit të këtij fenomeni kaq të shëmtuar siç është dhuna ndaj gruas”.
Në fund, festivali do të mbyllet me një performancë teatrale “Rrëfimet tona – Gra të lira” me regji të Driada Dervishit, ku do të performojnë aktore të njohura si Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Olta Daku etj.
“Kjo performancë do të ngrejë pyetjen; Ku gjenden gratë e lira?”, përfundon regjisorja Dervishi për Gazetën “Si”.
Historia e këpucëve të kuqe
Që prej vitit 2009 “Këpucët e kuqe” të artistes Elina Chauvet kanë shëtitur botën. Në 2009, artistja Elina Chauvet u vetëdijësua mbi numrin e vajzave dhe grave që zhdukeshin për të mos u gjetur më, rrugëve të qytetit Ciudad Juárez, në Meksikë, ku ajo ndërkohë jepte mësime arti. “Zapatos Rojos” kishte si qëllim tërheqjen e vëmendjes globale ndaj kësaj tragjedie. Chauvet është familjare me tragjedinë sepse ajo vetë ka humbur një motër të vrarë nga një burrë që s’u përndoq kurrë për krimin e kryer. Çdo këpucë simbolizon një grua të zhdukur rrugëve të Ciudadit, e ngjyra e kuqe, gjakun e tyre të derdhur. Instalacioni i saj i parë përfshinte 33 palë këpuce, ndërsa më vonë, ky projekt mori jetë më vete duke u pozicionuar në gjashtë vendndodhje në Meksikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



