Futboll

Festival golash në derbin madrilen, në finalen e Superkupës shkon Reali

Gazeta Si – Real Madrid mund 5-3 Atletikon pas kohës shtesë dhe shkon në finalen e Superkupës së Spanjës. Një ndeshje e mbushur me gola dhe plot emocione, me dy përmbysje nga ana e skuadrës së Karlo Ançelotit.

Gjysmëfinalja e parë e Superkupës së Spanjës ishte piroteknike, me shumë momente të bukura, ndërsa në fund ka buzëqeshur Real Madrid. Edhe pse u gjend dy herë në disavantazh, skuadra e Ançelotit ia doli ta fitojë ndeshjen.

Koha e rregullt u mbyll me shifrat 3-3. Rudiger shënoi golin e parë për skuadrën e tij, por shkaktoi edhe një autogol më pas. Në shtesë trajneri Ançeloti hodhi në fushë Joselu dhe Brahim Diaz dhe u shpërblye. Saviç shkaktoi një autogol në minutën e 116-të, ndërsa Diaz mbylli gjithçka me golin e 5-të në minutën e 121-të.

Një ndeshje e çmendur, që futi Antuan Grizmanin në histori. Me golin e shënuar në këtë derbi ai u bë ‘top-scorer’-i i Atletiko Madrid me 174 gola.

Gjysmëfinalja tjetër e Superkupës së Spanjës është ajo mes Barcelonës dhe Osasunës dhe mundësitë më të mëdha janë që të ketë një El Clasico në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë