Lajme

Festa Kombëtare e Greqisë, ceremoni në Bularat dhe Këlcyrë

Në kuadrin e festimeve për Festën Kombëtare të Greqisë, në Varrezat Ushtarake të Këlcyrës dhe në Varrezat Ushtarake të Bularatit, organizohen sot ceremoni Përkujtimore për Nder të Ushtarakëve Grekë të Rënë në luftën Italo-Greke (1940-1941).
Për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të të rënëve në luftën italo-greke ka ardhur dhe një delegacion nga Athina zyrtare.
Ceremonia e parë po zhvillohet në varrezën ushtarake të Këlcyrës.
Ndërsa ceremonia e dytë do të zhvillohet në varrezën historike dhe ushtarake të Bularatit në orën 12.45.
Pala greke në këto ceremoni përfaqësohet me zv/ministrin e Jashtëm, përgjegjës për çështjet e diasporës, Andonis Dhiamataris dhe ambasadoren greke në Shqipëri, Sofia Filipidhu.
Ceremonitë zhvillohen në bashkëpunim me palën shqiptare, siç parashikohet në traktatin e bashkëpunimit për kërkimin, identifikimin dhe rivarrimin e të rënëve të luftës, firmosur prej dy vendeve dy vjet më parë.
Zv.ministri grek, Andonis Diamataris, gjatë fjalës së tij ka falënderuar Shqipërinë për bashkëpunimin në varrimin e të rënëve.
“Në këtë vend të shenjtë prehen ata që ranë në 40-ën. U detyrohemi mirënjohje të përjetshme. Varrimi i tyre në kushte dinjitoze përbën detyrën tonë.
Në këtë kuadër do të doja të shprehja falënderim për Shqipërinë, për bashkëpunimin e saj në varrimin e të rënëve tanë. Kërkojmë vijimin e kësaj përpjekjeje të përbashkët. Detyra e jonë kundrejt të rënëve.
Të dashur patriot, jam këtu sot pasi kryeministri Mitsotaqis më kërkoi t’iu përcjell dashurinë e tij të pamatë dhe mbështetjen e tij. Jam këtu për t’iu thënë se nuk jeni të vetëm”, u shpreh ndër të tjera zv.ministri grek.
Ndërkohë, familjarët e ekstremistit grek, Kostandinos Kacifas, nuk janë lejuar të marrin pjesë në ceremoninë e nderimit të ushtarëve grekë të rënë në luftë me italianët.
Motra e Kostandinos Kacifas ka folur për mediat duke hedhur akuza të forta. Ajo tha se policia rrethoi babain e saj sapo panë foton e të vëllait dhe e mori në pyetje. Ndër të tjera, ajo ka kërkuar të zbardhet e vërteta për vëllain e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë