Mendim

Të flasësh me jetën tënde…

Nga Gazeta ‘Si’- Nuk e di pse, rastësisht, këtë mëngjes Krishtlindjeje po dëgjoja kengën e Vaçe Zelës ‘Rrisim jetën tonë”… ndoshta nostalgjia …ndoshta rastësia…po pse rastësisht këtë këngë, në një mëngjes Krishtlindjeje? Nuk besoj se më doli rastësisht në Youtube.

Nuk jam religjiozi tipik, megjithëse besoj. Përgjithësisht si të gjithë, në ditët e zakonshme nxitoj, tërë kohës me ngut dhe shpesh besoj se të gjithë i bëjmë pyetje vetes pse nxitojmë kaq rrëmujshëm kur ka kaq shumë gjëra që bëhen keq, dhe jashtë fuqisë tonë ?!. Atëherë pse?

Por jeta kështu e paska si tek teksti i këngës:  Rrjedhin o mëngjeset, rrjedhin si ujevara, Ja kështu mes njerëzve, jeta jonë hedh hapat.

Shpesh ecim mes njerëzve pa e kuptuar se edhe ne jemi pjesë e kësaj rrjedhe, një hap i vogël në një udhë të madhe. Por vjen një çast kur njeriu ndalet. Duhet të ndalet.  Jo se jeta pushon, por sepse shpirti e kërkon këtë ndalesë.

Festat fetare janë pikërisht këto ndalesa të shenjta. Ato na shkëpusin “si me thikë” nga e zakonshmja dhe na vendosin përballë vetes. Në ato momente, negativiteti i ditës zbehet, zhurma hesht, dhe njeriu fillon të flasë me shpirtin e vet. Kujtohesh për njerëzit, për faljen, për paqen. Jo si fjalë të përsëritura çdo ditë ( klishe të rëndomta qe përsëriten) por si të vërteta që marrin peshë,  sepse lindin nga heshtja.

Askush nuk është i parëndësishëm. Sado të vegjël të ndihemi, secili mund të shtojë një fjalë, një notë, në këngën e jetës së vet. Dhe kur këto nota bashkohen, bëhen kënga e një populli, e një kujtese të përbashkët, e një shprese që nuk shuhet por që ushqehet nga pak, ngadalë, nga secili prej nesh.

Edhe kur jemi poshtë, edhe kur ndiejmë se nuk kemi forcë, jeta duhet rrokur. Jo me inat e cinizëm, por me besimin e fëmijës që kërkon krahët e nënës. “Më merr në krahët e tua” nuk është dobësi, është dorëzim i besuar. Është pranimi se njeriu ka nevojë për ngrohtësi, për dritë, për një puthje në ballë nga dielli dhe hëna – ditën dhe natën, gjithmonë.

Në fund, jeta nuk kërkon madhështi. Kërkon praninë tonë. Një hap, një fjalë, një këngë të vogël. Dhe kjo mjafton që rrjedha të ketë kuptim. Ndaj unë i dua festat fetare sepse ato nuk janë thjesht ditë të veçanta në kalendar; ato janë momente kur njeriu ndalon me të vërtetë, kur bën një hap pas nga zhurma e përditshme dhe dëgjon shpirtin e vet. Në një botë ku gjithçka ecën shpejt dhe ku njerëzit shpesh humbasin midis detyrimeve dhe rutinës, festat ofrojnë një ndalesë të çmuar. Ato nuk janë rituale të dhunshme, nuk imponohen me forcë, por ndjekin një protokoll të vjetër, të trashëguar ndër breza, që udhëheq njeriun drejt vetes dhe drejt besimit të tij.

Festa nuk të lejon të veprosh jashtë rregullave; ato të japin strukturë dhe siguri, por jo kufizim. Në këtë kuptim, janë si një udhërrëfyes i brendshëm: të kujtojnë të ndalosh, të reflektosh, të falësh dhe të marrësh paqe dhe ngrohtësi. Edhe një fjalë e thjeshtë, një gjest i vogël, bëhet pjesë e një ritmi më të madh, të jetës dhe të komunitetit.

Në festat fetare, njeriu ndjen rëndësinë e vetes. E  pranisë së tij, edhe kur ndihet i vogël apo i pasigurt. Ato të kujtojnë që secili ka vlerë, që çdo hap, çdo fjalë e thjeshtë ka rëndësi dhe se nuk jemi kurrë të parëndësishëm. Përmes këtyre ditëve, ku protokollet dhe ritualet udhëheqin me butësi, njeriu lidhet më thellë me vetveten, me të tjerët dhe me besimin e tij.

Prandaj i dua festat fetare. Se aty filloj e flas me jetën time, të harruar dhe dorëzuar në ditët e tjera të vitit në fatin që shpesh na kanë paracaktuar të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë