Njerez

Ferri i zi i vendburimeve të naftës në Shqipëri

Njerëzit në Zharrës, në qendër të Shqipërisë jetojnë mes një peizazhi të qelbur apokaliptik të puseve të naftës që rrjedhin dhe rezervuarëve të depozitimit të ndryshkur, dheu i nxirë nga derdhjet e naftës së papërpunuar që depërton në ujin e tyre. “Ne kemi të gjithë probleme me shëndetin”, – tha Milita Vrapi, një nga 2000 fshatarët të cilët jetojnë ballë për ballë me industrinë e naftës të parregulluar të vendit ballkanik.

“Ajri është shumë i rëndë. Shpeshherë ndihem e trazuar dhe më vijnë debulesa, me dhimbje koke”, – tha nëna 49-vjeçare ndërkohë që një platformë e rrëmujshme u ndez në vetëm katër metra larg shtëpisë së saj.

Uji është i papijshëm dhe perimet nuk rriten më nëpër kopshte, thotë ajo.

Puset e braktisura te naftës, tubacionet që pikojnë dhe depozitat ruajtëse ndosin zonën e pasur me naftë Patos-Marinzë. Shumica e pajisjeve në fushat e naftës nuk janë mirëmbajtur për gati tre dekada.

Milita punon në tokë e saj 4 metra larg një pusi nafte

Ajri i rëndë

“Ari i zi ka sjellë miliona dollarë nga toka, por banorët nuk kanë përfituar asgjë”, – thotë banorja Marsilin Senka, ndërkohë që mban foshnjën e saj dy muajshe me bronshit akut.

Ajri kundërmon nga puset e vjetra që janë lënë të hapura dhe nga gropat e pambyllura. Në verë, disa vendas thonë se frymëmarrja vështirësohet edhe më shumë.

Vetëm Zharrëzi ka rreth një duzinë puse të drejtuara nga Albpetrol në pronësi të shtetit, shumica gjysmë shekullore,  vetëm një hedhje guri nga shtëpitë.

Të tjerat në zonë operohen nga grupi kinez Bankers Petroleum.

“Ndotja nuk është prioritet për kompanitë e naftës”, – shtoi Senka.

“Më shumë se 18 mijë metra katrorë janë të ndotura shumë nga nafta bruto, sepse infrastruktura është lënë e braktisur prej më shumë se 25 vitesh, me efekte të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e banorëve”, – tha Qani Rredhi, kreu i grupit mjedisor të fshatit.

Edhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar situatën, ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit në raportin e tij të fundit thotë se “afërsia e zonave të banuara dhe serave me vendburimet e naftës e mungesa e masave të sigurisë dhe rehabilitimit janë një shqetësim i madh.”

Sëmundjet

Banorët thonë se fushat e naftës mund të jenë përgjegjës për një mori problemesh shëndetësore që prekin banorët.

“Numri i banorëve që ankohen për probleme respiratore, me përqendrime të larta të dioksidit të karbonit në gjak ose që vuajnë nga sëmundje të lidhura me aktivitetet industriale janë shumë”, tha Adriatik Golemi, një tjetër ambientalist vendas.

Nën diktaturën komunistë të Enver Hoxhës, njerëzit ndaloheshin të jetonin në atë zonë. Por me rënien e regjimit të tij, autoritetet tolerua rikthimin e banorëve atje. Ambientalistët e lidhin ndotjen dhe me kancerin që i ka marrë jetën shumë qytetarëve.

Megjithatë, Fatjon Shehu, kreu i qendrës shëndetësore të fshatit, tha se ishte e vështirë të vendosej një lidhje në mungesë të studimeve të duhura, veçanërisht me rritjen e sëmundjeve të frymëmarrjes të shkaktuara nga Covid-19.

Përtej problemeve shëndetësore, vendasit ankohen edhe për rrezikun e lëndimit apo vdekjes nga aksidentet e lidhura me industrinë.

Përmbytjet

“Tre vjet më parë, një grua u mbyt në një gropë nafte ndërsa po shkonte pas pulave të saj,” – tha Golemi për AFP, duke thënë se fshati ka të paktën pesë zona të ngjashme ku nafta ruhet në gropa.

Ka pasur edhe “raste të mbytjes së bagëtive dhe shpendëve në naftë”, – shtoi Redhi, i cili u ankua edhe për “tymrat e fortë të gazit” që dilnin nga puset e braktisura.

Pavarësisht dëmeve që shkakton industria e naftës, Shqipëria prodhon vetëm 4.6 milionë fuçi naftë bruto në vit, e cila përdoret për të prodhuar bitum për rrugët.

Megjithatë, ajo ka rezerva të mëdha të vlerësuara në afro tre miliardë fuçi, megjithëse i duhet të importojë të gjithë nevojën e saj që kur rafineria e saj e vetme u mbyll në 2019.

Shell ka njoftuar që atëherë një “zbulim të rëndësishëm të naftës së papërpunuar të lehtë” në Shpirag në jug të Shqipërisë.

Rezervuarët dhe tubacionet e braktisura të naftës mbushin peizazhin rreth Zharrezit

Ministria e Energjisë e vendit tha se autoritetet ishin të vendosura për të zgjidhur problemet mjedisore të paraqitura nga industria e naftës.

“Kompanitë që punojnë në vendburimet e naftës Patos-Marinzë po vënë në zbatim plane veprimi për rehabilitimin e të gjithë infrastrukturës së rrënuar,” tha për AFP.

Por vendasit duan veprim tani.

Artemisa Vrapi, vajza 16-vjeçare e Militës tha se situata ishte e papranueshme.

“Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për ekonominë dhe nxjerrjen e naftës, por për të shpëtuar jetë, për të shpëtuar mjedisin dhe planetin tonë”, – tha Vrapi për AFP.

Ndërkohë, platforma pranë shtëpisë së tyre është prishur prej një jave dhe naftëtari Kadri Shahu, 58 vjeç, po përpiqet ta riparojë. Pa shpërblimet e performancës, paga e tij prej 540 euro në muaj nuk mjafton për të ushqyer familjen gjashtë anëtarëshe.

Burimi: France24 /Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë