Kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj nga starti i kampionatit botëror në garat me makina Formula 1, skuderia Ferrari është përfshirë nga një revolucion. Makina italiane tashmë nuk do të ketë në krye të bokseve të saj Mauricio Arrivabenen, i cili pasi ka përfunduar kontratën nuk ka mundur të marrë një rinovim. Në krye të bokseve të Ferrarit tashmë do të jetë Matia Binoto. Ky i fundit është shumë më i ri se Arrivabene, por drejtuesit e Ferrarit kanë shumë besim te aftësitë e tij dhe në eksperiencën që ai ka akumuluar në gjithë këto vite.

Binoto është pjesë e Ferrarit si mekanik i thjeshtë që nga viti 1995 dhe e njeh shumë mirë ambientin brenda bokseve dhe është gati të marrë përgjegjësi mbi supe. Zgjedhja e Matia Binoto në krye të bokseve të Ferrarit është bërë nga vetë numri i një “kokëkuqes”, Serxhio Markione. Ky i fundit ka besuar gjithmonë në aftësitë e Binotos, pasi në vitin 2014 e kishte mbrojtur 49-vjeçarin kur kishte pasur një përplasje me Arrivabenen.

Nisur nga ky raport i afërt mes Binoto dhe kreut të skuderisë Marikone, marrdhëniet mes dy drejtuesve në bokse Arrivabene-Binoto ishin ardhur duke u përkeqësuar. Binoto në fundin e vitit të shkuar kishte menduar që të largohej, por gjithë historia ka marrë një rrjedhë totalisht ndryshe. Propozimi që erdhi nga Markione, bëri që 49-vjeçari të ndërronte mendje dhe të merrte në dorë frenat e skuderisë.

Ky ndryshim i rëndësishëm në bokset e skuderisë italiane vetëm 2 muaj para fillimit të botërorit, që është planifikuar të fillojë më 17 mars me garën e Melburnit në Australi, shikohet si një vendim i guximshëm dhe mbetet për t’u parë rezultati që do të sjellë. Ferrari prej më shumë se 8 vite është në një krizë rezultatesh. Edhe pse në drejtimin e makinave të saj ka pasur gjithmonë pilotët më të mirë, në fillim Red Bull dhe më pas Mercedesi gjithmonë kanë pasur diçka më shumë që i ka çuar drejt titullit kampion. Vitin e fundit Vetel ishte më afër se kurrë për t’u shpallur kampion, por në fund makina e Hamilton ishte më rezistente dhe kompakte. Për vitin 2019 objektivi i Ferrarit mbetet i njëjtë, fitimi i titullit kampion për pilotë dhe konstruktorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




