Lajmi se ferma e parë e oktapodëve në botë është më afër realizimit është pritur me shqetësim nga shkencëtarët dhe konservatorët. Ata argumentojnë se krijesa të tilla inteligjente “të ndjeshme”, të konsideruara të afta për të ndjerë dhimbje dhe emocione, nuk duhet të rriten kurrë për ushqim.
Të luash me një oktapod gjigant të Paqësorit është pjesë e punës së Stacey Tonkin. Kur ajo ngre kapakun e rezervuarit për të ushqyer krijesën e njohur si DJ, shkurt për Davy Jones ai shpesh del nga ‘shpella e tij’ për ta parë. Kjo ndodh nëse ai është në humor të mirë. Oktapodët jetojnë rreth katër vjet kështu, një vjeç, Tonkin thotë se ai është i barabartë me një adoleshent.
“Ai definitivisht ka sjelljen e një adoleshenti. Disa ditë është i inatosur dhe fle gjithë ditën. Më pas, ditët e tjera ai është lozonjar dhe dëshiron të harxhojë energji pafund”, thotë Tonkin.
Stacey është pjesë e një ekipi prej pesë personash në Bristol Aquarium dhe ajo sheh DJ që reagon ndryshe ndaj secilit prej tyre.
Ato e ushqejnë oktapodin me midhje, karkaleca deti dhe copa peshku dhe gaforre. Ndonjëherë ata e vendosin ushqimin në një lodër qeni që ai ta ngacmojë me tentakulat e tij, në mënyrë që të mund të praktikojë aftësitë e tij të gjuetisë.
Ajo thotë se ngjyra e tij ndryshon me disponimin e tij. “Kur ai është ngjyrë kafe, është i lumtur dhe lozonjar”.
Stacey thotë dhe se oktapodi tregon inteligjencën e tij përmes syve të tij.
“Kur ju e shikoni atë dhe ai ju shikon ju, mund të ndjeni se ka diçka në sytë e ti”.
Niveli i ndërgjegjësimit që Stacey e dëshmon duhet të njihet në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar përmes një ndryshimi në Projektligjin për Mirëqenien e Kafshëve.

Ndryshimi ka ardhur pasi një ekip ekspertësh analizoi më shumë se 300 studime shkencore dhe arriti në përfundimin se oktapodët ishin “qenie të ndjeshme” dhe kishte “prova të forta shkencore” që ata mund të përjetonin kënaqësi dhe gëzim por edhe dhimbje dhe shqetësim.
Autorët thanë se ishin “të bindur se kultivimi i oktapodeve ishte i pamundur” dhe qeveria “duhet të konsideronte një ndalim të oktapodit të importuar në të ardhmen”.
Por tentakulat e oktapodit hidhen në tigan, rrotullohen në pjata dhe notojnë në supa anembanë botës, nga Azia në Mesdhe dhe gjithnjë e më shumë në Amerikë dhe Europë. Në Korenë e Jugut, krijesat ndonjëherë hahen të gjalla. Numri i oktapodëve në natyrë po zvogëlohet dhe çmimet po rriten. Rreth 350,000 ton kapen çdo vit, më shumë se 10 herë më shumë se numri i kapur në vitin 1950.
Në këtë sfond, gara për të zbuluar sekretin e mbarështimit të oktapodit ka vazhduar për dekada. Është e vështirë pasi ato hanë vetëm ushqim të gjallë dhe kanë nevojë për një mjedis të kontrolluar me kujdes.
Kompania Nueva Pescanova (NP) duket se ka mundur kompanitë në Meksikë, Japoni dhe Australi. Ajo ka njoftuar se do të fillojë të tregtojë oktapodin e kultivuar verën e ardhshme, për ta shitur atë në 2023.
Kompania është ndërtuar mbi kërkimet e bëra nga Instituti Spanjoll Oqeanografik (Instituto Español de Oceanografía), duke parë zakonet e rritjes së Oktapodit të zakonshëm, Octopus vulgaris.
Ferma e NP do të vendoset afër portit të Las Palmas në Ishujt Kanarie.
Është raportuar se ferma do të prodhojë 3000 ton oktapod në vit. Kompania është cituar të ketë thënë se do të ndihmojë për të ndaluar tregtinë e oktapodëve nga bota e egër.
Nueva Pescanova ka refuzuar të zbulojë ndonjë detaj se në çfarë kushtesh do të mbahen oktapodët, pavarësisht kërkesave të shumta nga BBC. Madhësia e oktapodëve, ushqimi që do të hanë dhe mënyra se si do të rriten janë të gjitha sekrete.

Planet janë denoncuar nga një grup ndërkombëtar studiuesish si “të pajustifikuara nga pikëpamja etike dhe ekologjike”. Grupi i fushatës Compassion in World Farming (CIWF) u ka shkruar qeverive të disa vendeve, përfshirë Spanjën duke u kërkuar atyre ta ndalojnë atë.
Elena Lara, menaxhere e kërkimit të CIWF, është e zemëruar.
“Oktapodët janë të mahnitshëm dhe ti vendosësh ato në kushte të tilla, është e gabuar”.
Oktapodët kanë tru të madh dhe kompleks. Inteligjenca e tyre është vërtetuar në eksperimente të shumta shkencore. Ata janë vëzhguar duke përdorur kokosit dhe guaska deti për t’u fshehur dhe mbrojtur dhe kanë treguar se mund të mësojnë shpejt të vendosin detyra. Ata gjithashtu kanë arritur të shpëtojnë nga akuariumet dhe nga kurthet e vendosura nga njerëzit që i peshkonin.
Për më tepër, ata nuk kanë skelete për t’i mbrojtur dhe janë shumë territorialë. Pra, ata mund të dëmtohen lehtësisht në robëri dhe nëse do të kishte më shumë se një oktapod të mbyllur në një hapësirë, ekspertët thonë se ata mund të fillojnë të hanë njëri-tjetrin.
Nëse ferma e oktapodëve hapet në Spanjë, duket se krijesat e edukuara atje do të kenë pak mbrojtje sipas ligjit europian. Oktapodët dhe cefalopodët e tjerë jovertebrorë konsiderohen si qenie të ndjeshme, por ligji i BE-së që mbulon mirëqenien e kafshëve në fermë zbatohet vetëm për vertebrorët, krijesa që kanë shtylla kurrizore. Gjithashtu, sipas CIWF, aktualisht nuk ka një metodë të vërtetuar shkencërisht për therjen e tyre.
Akuakultura që është termi i dhënë për rritjen e kafshëve ujore për ushqim është sektori i prodhimit të ushqimit me rritjen më të shpejtë në botë.
Tregu global i akuakulturës po rritet me rreth 5% në vit dhe parashikohet të ketë vlerë pothuajse 245 miliardë dollarë deri në vitin 2027.
BE-ja publikoi së fundi udhëzime që pranojnë “mungesën e praktikave të mira” dhe “boshllëqet e kërkimit” në ndikimin e akuakulturës në shëndetin e kafshëve dhe publikut.

Njerëzit dhe oktapodët kishin një paraardhës të përbashkët 560 milionë vjet më parë, dhe biologu evolucionar Jakob Vinther, nga Universiteti i Bristolit, gjithashtu ka shqetësime.
“Ne kemi një shembull të një organizmi që ka evoluar për të patur një inteligjencë jashtëzakonisht të krahasueshme me tonën. Aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve, lojërat dhe kurioziteti janë shumë të ngjashme me ato të njerëzve”, thotë Vinther.
Lara është e shqetësuar se konsumatorët që duan të bëjnë gjënë e duhur mund të mendojnë se ngrënia e oktapodit të kultivuar është më mirë se oktapodi i kapur në natyrë.
“Nuk është aspak më etike pasi kafsha do të vuajë gjatë gjithë jetës së saj”, thotë ajo. Dhe një raport i vitit 2019, i udhëhequr nga pedagogia Jennifer Jacquet argumenton se ndalimi i kultivimit të oktapodëve nuk do të kishte asnjë ndikim në të ushqyerit e njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



