Nga Gazeta “SI”- Romani “Ferma e kafshëve” (“Animal Farm”), i botuar në vitin 1945 nga George Orwell, mbush sot 80 vjet.
Çdo student i historisë ose i politikës e di se kjo vepër nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me kafshët. Sigurisht, personazhet kryesore janë derrat dhe kuajt, por siç na shpjegohet, fabula në të vërtetë është një alegori për Bashkimin Sovjetik dhe mënyrën se si idealet e komunizmit u deformuan nën sundimin e korruptuar të Josif Stalinit.
Vetë Orwell, i përfshirë në brezin e autorëve britanikë që flisnin hapur dhe pa drojë, nuk e kishte dëgjuar ende teorinë e Roland Barthes mbi “vdekjen e autorit” idenë se fjalët duhet të flasin vetë dhe qëllimet e autorit nuk kanë rëndësi. Megjithatë, Orwell e shpjegoi qartë se romani duhej lexuar si një rrëfim politik.
Po sikur t’i marrim kafshët më seriozisht?
Orwell e shkroi këtë vepër të shkurtër dhe tronditëse në një kohë kur konsiderohej shkencërisht e papranueshme që kafshët të kishin mendime ose ndjenja. Që nga viti 1859, kur Çarls Darvini theksoi lidhjen e ngushtë mes njerëzve dhe specieve të tjera, kishte një mundësi për të reflektuar mbi ngjashmëritë e thella mes tyre. Por në kohën e Orwell, psikologët e kafshëve këmbëngulnin në ekzistencën e një hendeku të pakalueshëm midis “njerëzve” dhe “kafshëve”.

Antropologët dhe studiuesit e shkencave shoqërore e përdorën shpesh këtë ndarje. Në vitin 1962, Claude Lévi-Strauss shkroi se kafshët “janë të mira për të menduar”, pra se përmes besimeve njerëzore rreth tyre mund të zbulohen vlerat e fshehura të shoqërisë. Sot, në epokën e krizës mjedisore dhe zhdukjes masive të specieve, kjo duket një qasje e kufizuar. Studimet bashkëkohore e kundërshtojnë idenë se kafshët ekzistojnë vetëm si burim për njerëzit.
Në të vërtetë, shumë kultura në botë kanë tradita të hershme të bashkëjetesës me kafshët, duke i njohur ato si qenie me personalitet dhe inteligjencë. Shoqëritë që jetojnë pranë specieve të tjera, madje edhe kur i gjuajnë, kanë zhvilluar aftësi për të kuptuar sjelljet e tyre në mënyrë të thellë.
Një projekt akademik në Britaninë e Madhe, i quajtur “Rimendimi i fabulave në epokën e krizës mjedisore”, po eksploron pikërisht këtë marrëdhënie. Ai synon të sjellë bashkë studiues, shkrimtarë e artistë për të krijuar përfytyrime të botëve të ndryshme të specieve , nga kuajt e deri te sorrat, minjtë apo merimangat , në mjedise gjithnjë e më të pasigurta.
Orwell dhe vuajtja e kafshëve
Në kohën e Orwell bujqësia industriale nuk ishte përhapur në përmasa të mëdha dhe njerëzit kishin ende njohuri të thella për kafshët. Shkrimi i tij i vitit 1936 mbi vrasjen e një elefanti në Birmani dëshmon shqetësimin e tij për vuajtjen e një kafshe reale.

Edhe në Fermën e Kafshëve, nisja e rrëfimit është pikërisht vuajtja e kafshëve nën sundimin e një fermeri mizor. Derr i moshuar, Plaku Major, i paralajmëron kafshët: “Secili prej jush do të japë jetën e vet në punë të lodhshme e të kotë.” Pavarësisht mëvonë tradhtisë së derrit Napoleon, kauza e kafshëve mbetet e drejtë dhe tirania njerëzore shihet si armiku i tyre i përhershëm.
Ëndrrat e kafshëve
Revolucioni i Orwell-it nis me ëndrrën e Plakut Major, i cili sheh një botë ku njeriu nuk ekziston më dhe kafshët jetojnë të lira. Një ide e tillë, në shekullin XX, konsiderohej absurde: kafshë që ëndërrojnë? Por çdo pronar qeni e di se kafsha e tij sheh ëndrra. Për dekada, shkenca e mohoi këtë realitet.
Në librin How Forests Think (2013), antropologu Eduardo Kohn argumenton se kafshët mendojnë, imagjinojnë dhe projektojnë të ardhmen e tyre, një aftësi themelore për mbijetesën. Ai përshkruan sesi një majmun duhet të interpretojë tingujt e pyllit për të kuptuar nëse e pret rreziku apo jo. Kështu, bota e kafshëve është po aq e mbushur me kuptim sa edhe ajo e njerëzve.

Në Fermën e Kafshëve, ëndrrat përsëriten gjatë gjithë rrëfimit, por gradualisht zhduken kur fjalët marrin vendin e tyre. Rregullat e shkruara në hambar ndryshohen një nga një, duke justifikuar korrupsionin e derrave. Fjalët manipulojnë kujtesën dhe e deformojnë të kaluarën, duke e lënë botën e kafshëve pa ëndrra dhe pa shpresë.
Burimi: Theconversation.com
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



