Komedia satirike “Ferma e Kafshëve” e shkrimtarit George Orwell do të hapë sezonin artistik të Teatrit Kombëtar.
Teatri Kombëtar shprehet se premiera do të jetë më 10 korrik në amfiteatrin e liqenit të Tiranës. Për këtë vepër artistët prej disa javësh kanë nisur punën nën drejtimin e regjisores së njohur, Driada Dervishi, që këtë herë sjell kryeveprën e George Orwell.
Produksioni më i ri Teatrit Kombëtar pas datës 10 korrik do të vijojë dhe mbrëmjen e datës 11. Vepra vjen me pjesëmarrjen e veçantë të Bojken Lakos. Në role interpretojnë aktorët: Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Çaushi, Xhuliano Brisku dhe Urim Aliaj.

Vepra:
Një nga alegoritë politike më të njohura të shekullit të njëzet, “Ferma e kafshëve” na shpie në botën politike të pas revolucionit, ku çliruesit bëhen shtypës dhe të shtypurit përfundojnë në makinën grirëse të historisë. George Orwell lindi më 25 qershor 1903 në Indi në fshatin Motihari afër kufirit me Nepalin dhe vdiq me 21 janar 1950 në Londër. George Orwell ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. Orwell njihet si një shkrimtar politik, me një penë të mprehtë, i cili mbeti deri në fund një kundërshtar i fortë i totalitarizmit. “Ferma e Kafshëve” është vepra që i dha famë botërore, edhe pse fillimisht hasi pengesa në botimin e saj. Një tjetër roman i jashtëzakonshëm i profecisë politike, është romani “1984” batuta e të cilit “Big brother is watching you”( Vëllai i madh po të vëzhgon) është kthyer në një përdorim të zakonshëm i gjuhës sonë të përditshme.
Gjatë provave:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.