Fëmijët në situatë rruge janë ata që bien të parët viktimat të trafikimit dhe shfrytëzimit.
Në Shqipëri, ky grup është më pak i mbrojturi dhe ata janë viktima të prostitucionit, pornografisë dhe shfrytëzimit seksual.
Diçka e tillë bëhet me dije në raport-zbatimin katërvjeçar për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijës, ndërkohë që Këshilli i Evropës thekson se masat e marra për të ndihmuar dhe për të mbrojtur fëmijët në situatë rruge në Shqipëri, kanë qenë të pamjaftueshme, “pavarësisht përpjekjeve për të harmonizuar legjislacionin me traktatet ndërkombëtare, ndërsa fëmijët vijojnë të jenë viktima të prostitucionit, pornografisë dhe shfrytëzimit seksual.”
Edhe një raport i fundit nga UNICEF vëren se se një shqyrtim i kryer nga OSBE-ja për viktimat e mundshme të trafikimit të fëmijëve në vitin 2020 evidentoi probleme madhore në lidhje me menaxhimin e rastit, “ku përfshihej mungesa e vendimmarrjes së posaçme lidhur me identifikimin e trafikimit, mungesa e ndjekjes së hetimeve penale, si dhe mangësia shqetësuese në sigurimin e masave të mjaftueshme të mbrojtjes së fëmijës.”
Në të u evidentua dhe se është një nevojë e konsiderueshme për të fuqizuar sistemet për mbrojtjen e fëmijës në Shqipëri për sa i përket trafikimit të fëmijëve, nëpërmjet rritjes së trajnimit të palëve kyç të interesit, duke përfshirë oficerët e zbatimit të ligjit, punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve dhe shkollat.
Martesa e hershme ende problem, edhe pse nuk raportohet
Ndonëse mosha minimale e martesës sipas Kodi të Familjes (2003) është 18 vjeç, 11% e grave të grupmoshës 20–49 vjeç dhe 2% e burrave ishin martuar në moshën 18-vjeçare, ndërsa përqindja e grave të grup-moshës 15–19 vjeç në moshë riprodhimi, u rrit me 3.5% midis periudhës 2017–2018, nga 2.8% gjatëve viteve 2008–2009.
“Të dhënat aktuale kanë treguar se martesa e fëmijëve, ndonëse nuk është raportuar në nivelin e duhur, kryesisht për shkak të pabarazisë gjinore, varfërisë dhe përjashtimit social, vazhdon të jetë ende një çështje me rëndësi madhore që duhet adresuar urgjentisht.”, vërehet në një raport të përgatitur nga disa organizata në vend dhe të bërë publik së fundmi.
Me ndryshimet e fundit, ligji tashmë ka siguruar që fëmijët e lindur pa shtetësi në territorin shqiptar, fëmijët e braktisur, fëmijët e birësuar dhe shumica e fëmijëve të lindur nga shtetas jashtë vendit të fitojnë përkatësinë.
Fëmijët përballen ende me vështirësi nëse prindërit kanë dokumentacion të parregullt dhe si rrjedhim komunitetet rome dhe egjiptiane ndikohen në mënyrë të pabarabartë, ndërsa fëmijët e lindur jashtë vendit nga prindërit romë, veçanërisht në Greqi, përballen me vështirësi të veçanta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



