Shendet

Fëmijët me sindromin inflamator nga Covid-19, kalojnë simptomat për 6 muaj

Fëmijët që sëmuren nga sindroma inflamatore e rrallë, e lidhur me Covid-19, mund të kapërcejnë simptomat e tyre brenda gjashtë muajve, por ata ende mund të kenë dobësi muskulore dhe vështirësi emocionale, tregon një studim i ri. Studimi është postuar në revistën “Lancet Child and Adolescent Health” të hënën dhe tregon se Sindroma Inflamatore Multisystem (MIS-C) shfaqet zakonisht dy javë deri në gjashtë javë pas një infeksioni Covid-19 që shpesh mund t’i dëmtojë fëmijëve organet jetësore.
Një pyetje kryesore e ekspertëve ka qenë nëse fëmijët do të përfundojnë me dëmtime të qëndrueshme të organeve ose probleme të tjera shëndetësore. Studimi i ri, me 46 fëmijë nën 18 vjeç që u pranuan në një spital të Londrës për MIS-C tregon që shumica e problemeve të fëmijëve përmirësohen me kalimin e kohës. Fëmijët në studim u shtruan në spital midis 4 Prillit dhe 1 Shtatorit 2020, pjesë e valës së parë të infektimeve. Ata të gjithë kishin inflamacion sistemik dhe shumica kishin simptoma që përfshinin sisteme të shumëfishta të organeve, të tilla si zemra, veshkat ose sistemi i qarkullimit të gjakut. Dyzet e pesë fëmijë kishin simptoma gastrointestinale dhe 24 kishin simptoma neurologjike si konfuzion, probleme me kujtesën, halucinacione, dhimbje koke ose probleme me ekuilibrin ose kontrollin e muskujve. Gjashtëmbëdhjetë nga fëmijët u vendosën në ventilator, 22 kishin nevojë për ilaçe për të ndihmuar zemrat e tyre të pomponin në mënyrë më efektive dhe 40 u trajtuan me imunoterapi si imunoglobulina intravenoze. Të gjithë mbijetuan.


Gjashtë muaj pasi ishin lëshuar nga spitali, vetëm një fëmijë vuante nga inflamacioni sistemik, dy fëmijë kishin anomali të zemrës dhe gjashtë fëmijë kishin simptoma gastrointestinale. Ndërkohë, studimi shkruan se në periudhë afatgjatë 18 fëmijë po përjetonin dobësi dhe lodhje të muskujve dhe 15 fëmijë po përjetonin vështirësi emocionale si ankthi ose ndryshime të rënda të humorit.

“Është e paqartë nëse problemet e tyre emocionale dhe dobësia e muskujve janë rezultate që vijnë nga sindroma. Shëndeti mendor dhe kushtëzimi fizik ka qenë prezent tek të gjithë fëmijët dhe adoleshentët gjatë pandemisë”, tha Jane Newburger, shefe e asociuar për çështjet akademike në departamentin e kardiologjisë në Spitalin e Fëmijëve në Boston, SHBA.
Ndërsa, Srinivas Murthy, një profesor i pediatrisë në Universitetin e British Columbia, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri, tha se mund të jetë e vështirë të zbulosh se cilat probleme i atribuoheshin drejtpërdrejtë sindromës dhe të cilat mund të kishin rezultuar nga ndonjë sëmundje tjetër shtesë. Ai tha se fakti që disa nga fëmijët ende kishin probleme me dobësinë dhe qëndrueshmërinë e muskujve mund të jepnin mësime të rëndësishme, sepse raste të tilla mund të kërkojnë një lloj tjetër të kujdesit duke përfshirë “mundësitë e rehabilitimit pas-spitalor”.
Burimi: The New York Times/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë