Njerez

‘Fëmijët e bëjnë rrugën falas’… Udhëtimi tani më i rrezikshëm, por trafikantët shqiptarë kanë oferta për familjet që duan të shkojnë në Angli

Trafikantët tani kanë filluar të bëjnë edhe oferta që i kalojnë agjencitë turistike.

Trafikantët shqiptarë po ofrojnë oferta "tre për dy" për të kaluar Kanalin, në mënyrë që fëmijët të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm falas.

Gjithashtu, ato kanë bërë tarifa standarde prej rreth 5000 paund për të rritur, por fëmija lejohet të bëjë udhëtimin falas.

Të tjerë po japin zbritje deri në 2000 paund për një fëmijë kur varka është gati për t’u nisur.

'Jashtëzakonisht shqetësuese'

Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, tha se “është jashtëzakonisht shqetësuese që trafikantët e njerëzve po marrin fëmijët në udhëtime të tilla të rrezikshme.

“Ne e dimë nga puna e gjatë me refugjatët shqiptarë se shumë të rinj janë trafikuar dhe janë viktima të shfrytëzimit kriminal dhe seksual”, tha Solomon.

Në një reklamë të postuar në TikTok, një trafikant njerëzish ofronte “udhëtime në Angli çdo ditë. Udhëtim me 15 deri në 20 persona në varkë. Ne jemi më të mirët”.

Trafikantët po bëjnë oferta për udhëtimin në Angli edhe pse ky udhëtim po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm.

Të kontaktuar nga një gazetar i infiltruar, ato thanë se bënte 10 mijë paund për 2 persona ndërsa fëmija e ka falas. “Është udhëtim i sigurt, nuk ka problem për fëmijën.

Një tjetër trafikant i tha gazetarit se një çift me dy fëmijë do paguanin vetëm 2 mijë paund për një fëmijë, nga 4500 që e kishte çmimin për një të rritur.

“Nuk do të ketë asnjë rrezik për fëmijën. Thjesht merrni një çantë të vogël dhe futeni brenda. Ne kemi marrë fëmijë javën e kaluar. Mosha tre deri në katër vjeç”, e ka siguruar trafikanti gazetarin e infiltruar.

Kur u pyet, një bandë e tretë, u përgjigj: “Nëse do t'i paguani paratë në Shqipëri 4000 euro për një të rritur dhe 3000 euro për një fëmijë. Nëse paratë paguhen në Angli, atëherë çmimi do të jetë 4000 £ për një të rritur dhe 3500 £ për një fëmijë".

Gjithashtu, sipas Home Office, zbritje të tilla ka edhe për personat me aftësi të kufizuara ku për shkak të gjendjes së tyre, cilado qoftë ajo, ato paguajnë më pak para.

Zyrtarët në Angli thonë se varkat po bëhen më pak të sigurta dhe udhëtimet më të rrezikshme pasi trafikantët e njerëzve po marrin më shumë emigrantë mbi to.

Burimi: The Telegraf. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë