I mituri E.K., është në listën e atyre fëmijëve që dhjetëra herë është shoqëruar në ambientet policore. Akuza ndaj tij vjedhje.
I listuar në “brezin” e atyre 10-12 vjeçarëve që jetojnë në kryeqytet dhe përditë në mungesë kontrolli të prindërve apo një personi madhor dalin nga shtëpia për të vjedhur, për fëmijën nuk ka asnjë ndryshim sjelljeje, ndonëse një paketë ligjesh të hyra në fuqi prej vitit 2016, garantojnë rehabilitimin dhe korrektimin e personave nën 18 vjeç.
Me premisën që ata të mos i hyjnë botës së krimit dhe të mos kthehen në përsëritës krimesh të rënda. Por E.K., me një shall në fytyrë iu turr një të rrituri në lokal, i rrëmbeu atij kuletën dhe u përpoq të largohej me vrap. I rrituri, administratori i biznesit, e përshkroi befasinë nga agresioni i fëmijës, duke shtuar para policisë se u befasua “nga shpejtësia e fëmijës së vogël që kërceu pranë tij për t’i marrë paratë”.
35 djem si E.K., rezultojnë sipas gjykatës penale të Tiranës të jenë gjykuar gjatë këtyre muajve, kryesisht për ngjarje që i implikojnë fëmijët në fushën e vjedhjeve dhe të konflikteve të çastit.
Siç e përshkruan në dosjen e riintegrimit drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të provës, njërin prej tyre me inicialet SH.P., ai është kthyer në një sulmues dhe hajdut biçikletash, si disa të tjerë që jetojnë në Kombinat, pasi kanë varësi nga droga dhe janë kthyer në hajdutë.
Konkretisht, në dosjen që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, nga ky institucion, thuhet se fëmija kishte në kartelën e tij pesë paralajmërime nga drejtësia.
Duke analizuar gjendjen e të miturit në dosjen për korrektimin e tij, përmendet se fëmija ishte bashkë me të vëllain dhe një djalë tjetër në moshë të vogël me të cilin janë njohur një vit më parë teksa lypnin në rrugë.
“Së bashku kanë shkuar në një zonë të Tiranës me qëllim që të vidhnin biçikleta. Pas kërkimeve në atë zonë – vijohet me kartelën e të miturit – arritën që të gjenin dhe të vidhnin tre biçikleta, që i shitën tek njerëz të rastësishëm në rrugë me vlerën e 30 deri në 40 mijë lekë të vjetra secili.
“Me lekët e fituara, ata blenë hashash, kokainë si dhe ushqime për t’i konsumuar me vëllain tjetër akoma më të vogël në moshë”, – detajon specialistja që i referohet dëshmisë së fëmijës e gjithashtu materialeve të hetimit.
Fëmija tjetër nënvizon specialistja, pranon se këtë veprim e ka kryer edhe herë të tjera, pa dijeninë e prindërve dhe fshehtas tyre. Por si përshkruhet fëmija përsëritës në vjedhje e përdorues droge?
E ëma tregon: “Im bir ka pasur një fëmijëri normale. Atij i nisën problemet shumë shpejt kur po shoqërohej me disa djem problematikë që i reflektoi në ambientin brenda dhe jashtë shkollës. Fillimisht tregon nëna e tij, ai konfliktohej me shokët, pastaj mashtronte ne dhe më pas nisi të binte në mësime dhe të braktiste shkollën. Situata u përkeqësua kur mësuam se fëmijët po lypnin në rrugë dhe mësuam se ata po konsumunin që të dy lëndë narkotike. Ata filluan të largoheshin nga shtëpia me ditë dhe ne i kërkonim në polici”.
Çfarë të pëlqen të bëhesh kur të rritesh, e pyet psikologia fëmijën e varur nga droga tanimë dhe që ka mbyllur çdo komunikim me prindërit, që sakaq dorëzohen dhe thonë se kanë dështuar. Modelin e tij po e ndjek ndërkohë edhe vëllai tjetër më i vogël, që e imiton.
“Jam i mbyllur dhe dua të marr një zanat kur të rritem”, – thotë fëmija , i cili nuk pranon të japë emra të shokëve dhe të tregojë se çfarë bën kur largohet nga banesa.
“Kam denoncuar shumë herë, – thotë e ëma për ikjen 24-orëshe apo më tepër të fëmijëve, – dhe gjendem në pikën që nuk kam më besim tek policia. Ata i gjejnë fëmijët, por kam filluar të besoj që fëmijët shfrytëzohen”.
“Nga të dhënat PMF, – shkruan punonjësja sociale e shërbimit të provës, – fëmija nuk ka marrëdhënie të qëndrueshme me shokët, është e qartë që ai konsumon rregullisht drogë, ai nuk shfaq interes dhe nuk merr pjesë në aktivitetet prosociale” .
Në një nga detyrat që shërbimi i provës i lë fëmijës, pasi ka braktisur shkollën, është ajo e marrjes së zanatit si berber. Prindërit e tij, sipas burimeve të këtij institucioni, janë të dy të punësuar, me kushte të qëndrueshme dhe kanë shtëpi private.
“Kjo kartelë e tij, tregon se si i mituri rrëshqiti nga kujdesi i prindërve dhe se si modeli i tij po ndiqet dhe nga i vëllai më i vogël. Situata me fëmijët në Tiranë, duhet treguar që nuk është fort e mirë, sa i takon të miturve në zonën e Kombinatit, atje kemi një grup fëmijësh që largohen periodikisht nga shtëpia dhe pasi vjedhin, strehohen në parkime, fëmijë në zonën e Alliasit, që gjithashtu kanë varësi nga droga, në Kamëz dhe në zonën e Laprakës”, – tha një nga zyrtarët e rendit që këmbëngul se gjendja është bërë alarmante.
Në një nga çështjet hetimore që iu tregua Gazetasi.al, i mituri i moshës 16 vjeç, u kap në flagrancë nga një qytetar, teksa ishte duke i vjedhur biçikletën. Kur aty mbërriti policia, ai u shoqërua pranë komisariatit numër tre, por më pas tha: “Nuk mbaj mend se çfarë po bëja, jam i dëshpëruar më duheshin para për drogë”.
Ndërsa E.P., i cili jeton në Kombinat, sapo e ka përfunduar dënimin që shpalli gjykata për të. I shpallur fajtor për vjedhje në bashkëpunim, ai përfitoi nga Kodi i Drejtësisë për të Mitur, ndaj dhe u urdhërua pezullimi i dënimit të tij. Ashtu sikundër veprohet në dhjetëra raste të tjera, që detyrimisht kërkon shmangien e ballafaqimit të policit me uniformë, përpara fëmijës apo edhe dërgimin e fëmijës në qeli.
“E gjitha ka një qëllim, që fëmija të mos familjarizohet me ambientet penitenciare, por duket se po dështojmë, s’ka asnjë vlerë korrigjimi, duke e paralajmëruar, apo duke urdhëruar që fëmija të mos shoqërohet me persona të dënuar. Ai e bën këtë gjë, familja nuk e kontrollon si duhet, institucionet që duhet ta bëjnë këtë gjë nuk arrijnë ta bëjnë”, – shprehet një gjyqtar i seksionit për të mitur, që kujton se për këtë qëllim, programe të posaçme kanë hapur salla të posaçme gjyqi vetëm e vetëm që i mituri të përballet me ashpërinë e gjykatave. Por pas ndryshimeve ligjore, është e qartë se as kjo tolerancë dhe miqësi me fëmijët nuk ka funksionuar.
Në të vërtetë, në Kavajë funksionon institucioni për të miturit që kryejnë vepra që parashikojnë dënimin mbi pesë vjet dhe që janë përsëritës. Por për të gjithë të tjerët, të cilëve drejtësia u ka shtrirë dorën, ata vijojnë të kthehen në përsëritës dhe me premisën dhe sapo të mbushin 18 vjeç, situata e tyre në krim do të rëndohet.
Po kuptojmë, se ndërkohë edhe vajza të mitura, me varësi droge po largohen përherë e më shumë nga shtëpia, ato janë të rrezikuara të bien në grackën e rrjeteve të shfrytëzimit dhe jo vetëm, përmend një tjetër zyrtar policie për Gazetasi.al, që këshillon se ndonëse Kodi për të Miturit ka avantazhe të tjera, siç ndodhi gjatë aplikimit të tij në rastin e fëmijës
E.P., që iu shmang dënimit me vendim të gjyqtarit Kastriot Gramshi dhe që sipas vendimit që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, kjo kohë prove do të shërbente si kohë provë për ta riedukuar me kushtin që ai të ndiqte një program profesional dhe një program psiko-social.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.