Njerez

Fëmija që e kanë zili të gjithë. Gjyshja dhe nipi “marrin malet”

Nga Edmond Prifti – Atë e kanë zili pothuajse të gjithë, por më shumë “të çuditur” mbeten ata që nuk kanë provuar ende të ngjisin qoftë edhe një mal, e të kuptojnë atë lumturinë që do të ndiejnë duke “e pushtuar” atë. Ndonëse është 8 vjeç, e mbase siç thotë edhe gjyshja e tij, – Ladi Sulo, që të gjithë e përngjajnë me mishërimin femëror të Dashnor Dikos (i famshmi i “Bananes”) – “Markus nuk e kupton realisht se çka po bën, por kur të rritet, do falënderojë nënën e veten, duke u ndier krenar”. Maja e Jezercës, Korabi apo maja e Çikës e Shëndëllia janë disa nga arritjet e këtij “fëmije” 8-vjeçar, – atë që shumë alpinistëve, u duhen muaj stërvitjeje (një shoqatë ka disa muaj që stërvit alpinistët dhe dashamirësit e maleve me majat e larta, duke u thënë se po përgatitemi të pushtojmë malin më të lartë në Shqipëri, Korabin). 

“Kjo është sakrificë, – përmend Ladi për ‘Gazetën Si’, – pasi, veçse çantën që marr e që për pak më mori me vete nga pas në kavon ndihmëse të malit të Jezercës, (duke qenë më shumë se 10 kile…) që nga uji nga një litër për vete, në katër bashkë me Markusin, e gjithë ndërresat e ushqimet për të. Por, për mua është normale. Nuk është thjesht bëjmë ca male dhe aq. Nga kjo shoh që Markusi është më i pjekur, e po merr një edukatë tjetër që të dojë natyrën, njerëzit e malet. Fëmija nuk ka nevojë për lojëra të shtrenjta…”, thotë Ladi, ndonëse Markus Nezaj, veçse 8 vjeç, e njohu menjëherë që telefoni im ishte ‘Huawei P20 Pro’, e megjithatë përveç biçikletës që donte të bënte xhiro, e si një aktor i vërtetë i mësuar me kamerën, telefoni nuk e risolli më nëpër mendje, madje dëgjonte me vëmendje kur fliste nëna e tij.

Markus gjatë intervistës me Gazetën Si

Fillesa

Ende pa mbushur 3 vjeç, Markus Nezaj merret nga gjyshja e tij, Ladi Sulo, 5 vite më parë në përvjetorin e shoqatës alpine, “High Albania Mountain Club”, kur ai veçse një ditë para ishte qepur në pjesën e majtë të vetullës. Ashtu, pak i ndihmuar nga gjyshja, e pak nga të gjithë ata që u dashuruan pas fëmijës së vogël që po ngjitej së bashku me qindra alpinistë të tjerë në malin e Dajtit, kjo ishte edhe eksperienca e parë e tij, jo veçse duke e parë dhe e prekur borën, por edhe duke bërë një “plak bore”.

Markus duke ngjitu malin e Dajtit

Siç thotë edhe Ladi, e cila tashmë ka ngjitur pothuajse jo veçse gjithë majat e Shqipërisë, por edhe gjithë malet e Ballkanit, në një shprehje nga Hemingway “Ka vetëm tri sporte të vërteta: “Alpinizmi, ndeshja me dema dhe gara me motorë. Të gjitha të tjera janë veçse lojëra”. Dhe e vërteta qëndron në atë pyetje që kujtdo do t’i vinte natyrshëm, për shkathtësinë e këtij fëmije (duke e korrektuar gjyshja veçse për “kurajë” nga “kurajtjen”, të cilën e keni edhe në videon bashkëngjitur). “Mezi ecja, si hera e parë në Dajt. Uaaa nëna, çfarë është kjo? Borë? E aty bëmë edhe një plak bore.

Markus duke bërë plakun prej bore

Maja më e vështirë më pas, ishte Mali i Thatë, ku edhe m’u lagën këmbët. Qëndrova në një vend të vogël afër majës, e fillova të flija gjumë ku vjen nëna dhe më thotë çohu se nuk bëhesh më, nëse fle…

Markus në Malin e Thatë

Dikush më bëri një foto, por unë poshtë syzeve të mëdha, i kisha sytë e mbyllur”, thotë Markus për eksperiencat e tij të para në male.

Aventurat e Markusit

Të ngjitesh në mal së bashku me një fëmijë, nuk është veçse sakrificë, por edhe një kurajë e jashtëzakonshme, për Ladin por edhe për grupin shoqërues. E teksa jemi ulur e bisedojmë me Markusin e gjyshen e tij, si miq të vjetër të dikurshëm të maleve, e pyesim për problemet që kanë hasur përgjatë aventurave të shumta, ndërsa Ladi nuk ka ç’të tregojë më parë, pasi nën shoqërinë e nipit të saj, ajo po bën më shumë se 5 vite, duke pushtuar majat. Por më parë pyesim nënën e tij dhe më tej Markusin ku thotë se, “në Korab”, vijon ai, “i thashë një shokut të nënës, që jam 13 vjeç, në klasën e shtatë.

Markus duke u ngjitur në malin e Korabit

Bravo, të qoftë i thotë ai nënës, që nipi yt 13 vjeç ngjiti majën… Jo, të ka gënjyer i tha nëna, se ai është aq vjeç, sa të ka thënë për klasën. Ndërsa, maja e Çikës nuk m’u duk e vështirë dhe një xhaxhi aty më tha, ‘Bravo të qoftë se unë s’jam për këtë punë’. Gjyshja e tij, Ladi Sulo, rikujton se aty duke ndihmuar dikë që e kishte më vështirë se Markusi pasi qe hera e parë, e gjeti nipin e saj në majën e Çikës, duke i kërkuar asaj një sandwich të madh, që të ushqente dy qen që i kishte marrë me vete nga poshtë.

Ndërsa e pyet për shokët e shoqet e klasës, Markus thotë se “nxënësit e tjerë nuk më besonin fillimisht”, madje “thonë që kemi bërë nja 60 kilometra, a më shumë. Kur më panë njëherë në televizor i doli e vërteta”, rikujton Markus, intervistat e tij te Klan TV, në TVSH dhe Top Channel. E megjithatë, Jezerca ka qenë për të, maja më e vështirë e arritur, një nga ngjitjet e tij të fundit, ku Markus thotë se “ka qenë mali më i vështirë në botë… dhe ku ishte një pjesë ishte e frikshme e plot me guriçka… ndërsa unë bërtita një moment Nënaaaa, me të madhe. Kur e pyesim se nëse nuk do ishte nëna me të nëpër male, do kishe shkuar, Markus pa mëdyshje thotë: Jo. Po mami dhe babi, kur i shohin “fotot e frikshme” me nënën nëpër male, ç’të thonë? “Nuk do të më linim, por nëna i gënjen ngaherë me gënjeshtra të bardha, se gënjeshtrat e këqija nuk i tregon”… “I kam thënë mamit njëherë, që kur flet nëna seriozisht mos e beso, ndërsa kur flet me shaka, besoje”. Eksperienca e Markusit si më “e frikshmja”, thotë se ka qenë ajo e disa javëve më parë në majën e Kallkanit, në Parkun Kombëtar Shebenik –Jabllanicë, që Markusi rrëfen se i ka kaluar gjarpri shumë afër, e ashtu siç tregon ai “veçse dy sekonda, në veçse dy sekonda duke më kaluar fiu, mu përmes këmbëve dhe u zhduk… dhe nëna u tremb shumë keq”.

Markus në Parkun Kombëtar Shebenik –Jabllanicë

Këto udhëtime ç’të kanë dhënë? “Jo se më bëjnë të famshëm, por them dhe di gjithçka për natyrën, gjëra të bukura që ne njerëzit duhet t’i dimë. Mua më pëlqen natyra… pa pemë e lule nuk kemi ajër, e jo me ato që nuk janë origjinale, të parfumosura. Ato janë oksigjeni ynë”. Kur e pyet se çdo të bëhesh, Markus thotë se “…dua të bëhem inxhinier mjedisi, se kësaj nuk i dihet… që të mbroj mjedisin”, e befas përmend rastin e një shoqes së tij kur thotë se isha mbrapa saj kur hodhi një lëkurë bananeje që kujtova se ishte letër, ndërsa një shoku im më thotë diçka që nuk duhej ta thoshte: “Le t’i hedhë, sepse pastrueset ngelen pa punë”. Më në fund, na bën një pyetje që na drejtohet të gjithëve, teksa i ka bërë përshtypje një tabelë prej druri në malin e Dajtit, ku shkruhej: “Mos prisni pyjet!”. Pse ajo tabelë ishte e shkruar në dru, kur realisht drutë për atë tabelë, ata i kanë prerë?

 

Më Shumë