Shkencë

FDA miraton një tjetër test për Covid-19 që jep rezultatet për 3 minuta

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e Shteteve të Bashkuara (FDA) ka miratuar një tjetër test për Covid-19 që kryhet me anë të frymëmarrjes. Pajisja Breathalyzer e krijuar nga kompania “InspectIR” zbulon komponimet kimike në mostrat e frymëmarrjes që identifikojnë praninë e sëmundjes. Testi bëhet duke fryrë në një tub të lidhur me një pajisje portative që do të “masë” frymën tuaj.
FDA shpjegoi se ky lloj testi mund të kryhet në vende të tilla si klinika dhe spitale, nën mbikëqyrjen e personelit të trajnuar dhe kërkon tre minuta për të dhënë një rezultat.

Testi i ri përdor një teknikë të quajtur, kromatografia e gazit e shoqëruar me spektrometrinë e masës (GC/MS), e cila ndan dhe identifikon kimikatet e kombinuara dhe zbulon shpejt pesë komponime organike të paqëndrueshme të lidhura me infeksionin Covid-19.
Kur testi konstaton praninë e Covid-19 për këto përbërje organike, jep një rezultat pozitiv, i cili sipas FDA-së duhet të konfirmohet ende me një test molekular.
Testi u studiua në 2,409 vullnetarë, me dhe pa simptoma të Covid-19 dhe demonstroi një ndjeshmëri prej 91.2%, e ngjashme me testet e shpejta të krijuara nga kompani të ndryshme.
Burimi:La Stampa/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë