Bota

Fauci: Covid 19 do të jetë nën kontroll jo para pranverës së vitit 2022

Me mbi 628,000 vdekje dhe infeksione totale në rritje të shpejtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë në mes të një vale të re. Janë mbi 100,000 të shtruar në spitale, shifra më e lartë në shtatë muajt e fundit.

Midis tyre edhe shumë të rinj. Në gjashtë javët e fundit, viktimat ditore janë rritur me 281%. Nga 4.5 milionë vdekjet totale në mbarë botën, 14 % kanë ndodhur në SHBA. Imunologu Anthony Fauci, këshilltar i administratës  Biden për çështjet shëndetësore, foli drejtpërdrejt në CNN.

“Pika e kthesës në pandemi, – tha ai, – nuk do të shihet para pranverës 2022, por për të arritur këtë qëllim, skeptikët dhe ata kundër tij duhet të binden që të vaksinohen. “Nëse shumica prej afro 90 milionë amerikanëve që nuk janë vaksinuar e bëjnë këtë deri në dimër, ne do të kemi kontroll të mirë të situatës deri në pranverë”.

Fauci, i cili është drejtor i institutit kombëtar të alergjisë dhe sëmundjeve infektive, e korrigjoi veten në një deklaratë të bërë kohët e fundit, në të cilën ai parashikoi se emergjenca shëndetësore do të kthehej nën kontroll vetëm në vjeshtën e vitit 2022. “Kërkoj falje, ajo deklaratë ishte e gabuar”, – pranoi imunologu.

Pra, jo një vit, por 7-8 muaj për të arritur të dominohet një virus që ka ndryshuar fytyrën e planetit. Fauci rekomandoi që edhe ata që janë shëruar nga Covid 19, duhet të vaksinohen: “Kjo do t’u japë atyre mbrojtje të jashtëzakonshme”. Momenti është vendimtar: askush nuk duhet lënë pas.

Vetëm në shtetin e Nju Jorkut, ka 55,400 vdekje nga Covid deri më tani. Shifra u përditësua nga guvernatorja e re, Kathy Hochul, e cila korrigjoi numrat e dhënë nga paraardhësi i saj, Andreë Cuomo (43,400).

12,000 viktima mungonin në përllogaritje. Në numërimin e mëparshëm, të moshuarit që jetonin në qendrat e ndihmës, nuk ishin llogaritur.

“Ne do të jemi në gjendje të kthehemi në një nivel të caktuar normaliteti, domethënë të rifillojmë gjërat që shpresuam të rifillonim, restorante, teatro dhe gjëra të këtij lloji, duke ecur përpara në pranverë”, shtoi  Fauci për CNN.

Për rrjetin televiziv, parashikimi i imunologut rrezikon të vërë në vështirësi presidentin Joe Biden, i cili kishte marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë me premtimin e zgjidhjes së krizës së Covid dhe rifillimin e ekonomisë në vitin e zgjedhjeve afatmesme, të cilat në fakt janë në 2022-in.

Deri më sot, në SHBA, 51 përqind e popullsisë janë vaksinuar me dy doza (61 përqind me të paktën një dozë).

“Varianti Delta ka një aftësi të jashtëzakonshme për të kaluar nga personi në person, – vijoi imunologu. – Pra, varet nga ne. Nëse vazhdojmë të vonojmë pa vaksinuar ata që duhet të vaksinohen, pandemia vazhdon, duke çuar në zhvillimin e një varianti tjetër që mund të komplikojë gjërat”.

Nuk është e mundur sipas tij të përcaktohet një përqindje e njerëzve të vaksinuar mjaftueshëm për të shmangur rifillimin e infeksioneve: “Mund të jetë 99 ose 85%, ne nuk e dimë. Ne duhet të vaksinojmë sa më shumë njerëz, ky është numri i vetëm i dëshirueshëm”.

Nga 20 shtatori në SHBA, mbi 155 milionë njerëz do të jenë në gjendje të marrin dozën e tretë të vaksinës. Kërkesa e vetme: marrja e injeksionit të dytë të vaksinës Pfizer ose Moderna për të paktën 8 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë