Lajme

Hajdari në Vetting. Probleme pasurie, fshehu revokimin e vizës amerikane

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne para Vettingut.

Hajdari po përballet për herë të parë në shkallën e parë të Vettingut dhe po justifikon para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit figurën si gjyqtare si dhe pasurinë.

Fatmira Hajdari shkoi në KPK e shoqëruar nga avokatët e saj, Maksim Haxhia dhe Ilira Dane.

Për sa i përket analizës së pasurisë Komisioni është shprehur se: ILDKPI ka kryer verifikim dhe konstaton se deklarimi i pasurive është i saktë. Por KPK thotë se pavarësisht këtij raporti KPK kreu verifikime të tjera mbi të tria kriteret përfshi edhe pasurinë.

U krye hetimi bazuar mbi fakte të reja, truall 454 m2 ndodhur në rrugën Vilat Gjermane dhe shtëpi 95 m2. Subjekti deklaron se e posedon bashkë me fëmijët.

Subjekti deklaron se në 1995 sipas një kontrate me entin e banesave, dhe në deklaratën e parë të pasurisë thotë qe e ka blerë me kredi. KPK konstaton mospërputhje për këtë pasuri.

Trualli 150 m2 i bashkuar me truallin e mësipërm. Nga hetimi rezulton se me anë të vkm 2015 është vendosur kalimi i pronësisë në emër të subjektit.

Në deklaratën vetting subjekti ka deklaruar se ka fituar të drejtën 142 m2 që gjendet bashkëngjitur në pronën e mësipërme. Subjekti nuk e ka deklaruar fitimin e pronësisë për këtë sipërfaqe.

Ndërkohë, DSIK ka konstatuar deklarim të pasaktë të pasurisë, pasi nuk ka burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar asetet pasurore.

Problematika qëndron te një pallat 10-katësh që ka probleme që në ngritjen e tij me probleme me pronarët, disa kredi në emër të të birit, 13 apartamente dhe 1 vilë që nuk ka burime financiare të ligjshme për të mundur ta justifikuar.

Ndërsa DSIK është shprehur se ka papërshtatshmëri për të vijuar detyrën si gjyqtare, një tjetër çështje që mund të sjellë shkarkimin e saj është fshehja e revokimit të vizës amerikane.

Sipas raportimit, gjatë procesit të kontrollit të figurës, DSIK ka dalë në konkluzionin se zonja Hajdari ka bërë deklarim të pasaktë në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur faktin se i është revokuar viza amerikane.

Kjo e fundit ka deklaruar se revokimi i vizës nuk kishte ndodhur në momentin që ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Hajdari ka shtuar se nuk i është ndaluar hyrja në ndonjë vend të BE apo NATO.

“Më është kërkuar pasaporta dhe më është komunikuar se jam në proces vettingu, ndaj më revokohet viza”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Fatmira Hajdari kohët e fundit u caktua si gjyqtare për çështjet e lobimit në SHBA të PD ku i akuzuar ishte Lulzim Basha, por ajo dha dorëheqjen nga kjo çështje, si dhe për “CEZ”, ku PS kërkoi përjashtimin e saj pasi kishte njohje me të akuzuarit, Sali Berishën dhe familjen e tij. Edhe nga kjo çështje ajo u përjashtua nga vetë Gjykata.

Sa i përket pasurisë, gjyqtarja Hajdari nga viti 2003, kur ka bërë deklaratën e parë të pasurisë dhe deri në 2017, kur është deklarata e fundit që është marrë në shqyrtim nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vettingut, e ka shtuar pasurinë me 18 herë.

Sipas të dhënave të analizuar nga BIRN, (Link Këtu) gjyqtarja Hajdari rezulton me një pasuri rreth 500 mln lek, ndërkohë që në 2007 deklaronte 2.7 mln lek. Pasuria e paluajtshme përbën zërin kryesor të aseteve me vlerë 31.4 milionë lekë, ndërkohë që subjekti deklaron edhe 15.1 milionë lekë likuiditete bankare, 2.4 milionë lek, pasuri të luajtshme dhe kursime në para të thata prej 300 mijë lekësh.

BIRN thotë se në analizën dhe kontrollin aritmetik e logjik të deklarimeve identifikohen në pesë vjet deklarata me probleme, me një pasuri të pajustifikuar prej 12.5 mln lekësh.

BIRN ka identifikuar gjithashtu edhe gabime të shpeshta, ku vlerat e shënuar në numra nuk përputhen me vlerat e shënuara me fjalë në deklaratat e pasurisë. Si shembull sillet deklarata për një kredi bankare ndër vite prej 30 milionë lekësh, mes së cilës edhe një kredi të marrë nga i biri në vitin 2007 në vlerën e 19 milionë lekëve, e cila gjithashtu deklarohet herë me lekë të vjetra dhe herë me lekë të reja. Nuk është gjithashtu e qartë nëse këto detyrime lidhen me biznesin e të birit, apo kanë shërbyer për të financuar pasuritë e familjes.

Në vitin 2013, djali i subjektit ka lidhur një marrëveshje sipas së cilës në këmbim të truallit prej 890m2 do të ndërtohet një objekt 10-katësh, ku të dyja palët përfitojnë nga 50%. Në vitin 2016, Hajdari deklaron se pjesa e tyre e investimit përveç truallit është edhe 204 mijë euro, pa shpjeguar burimin e këtyre parave dhe kohën e investimit.

Raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet bazës së të dhënave të BIRN dhe ai nuk synon që të dalë në përfundime mbi ligjshmërinë e pasurisë së gjyqtares, por të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Fatmira Hajdari është gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe doli sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Znj. Hajdari po kryhet nga trupa e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Fatmira Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë