Të frikshme, makabër dhe prekëse, seria e 82 gravurave të artistit spanjoll Francisco Goya, e njohur si “Fatkeqësitë e Luftës” (Los Desastres de la Guerra), është një kujtesë e fortë për pasojat antihumane të luftës.
Imazhet që Goya krijoi për këtë seri të shekullit të 19-të nuk janë të këndshme, por kjo është pjesë e qëllimit të tyre . Në vend të përshkrimeve heroike të betejave, Goya synoi të shprehë rezultatet tragjike të konflikteve të dhunshme përmes gravurave të tij të ashpra dhe realiste.
Kjo seri frymëzoi shumë artistë të tjerë si Pablo Picasso e gjithashtu dhe shkrimtarin Ernest Hemingway për romanin “Për kë bien Këmbanat” . Pavarësisht moshës së saj, “ Fatkeqësitë e Luftës” mbetet një nga deklaratat më të guximshme anti-luftë që janë bërë ndonjëherë, duke na kujtuar të gjithëve se lufta mund të nxjerrë në pah më të keqen e njerëzimit.

Një histori e shkatërruar nga lufta
Është viti 1808, dhe Perandori francez Napoleon Bonaparte ka marrë kontrollin e Spanjës. Ai emëron vëllanë e tij, Joseph Bonaparte, si sundimtar të ri të vendit. Megjithatë, spanjollët refuzojnë të pranojnë sundimin e Bonaparteve, dhe më 2 maj 1808, fillon “Lufta e Pavarësisë së Spanjës”
Kjo kryengritje bëhet pjesë e “Luftës së Gadishullit”, që zgjati nga viti 1808 deri në 1814. Konflikti ishte ngjarja më e përgjakshme në historinë moderne të Spanjës, me 215,000 deri në 375,000 ushtarë dhe civilë spanjollë që humbën jetën.
Gjatë Luftës së Pavarësisë, Goya ruajti pozitat e tij si piktor i oborrit të Kurorës Spanjolle, megjithatë ai mbeti neutral gjatë konfliktit. Pasi forcat franceze u shpërndanë nga vendi dhe Mbreti i Spanjës, Ferdinand VII, u rivendos në vitin 1814, Goya mohoi çdo lidhje me francezët.
Megjithatë, pikëpamjet personale të Goya-s për luftën dhe pasojat e saj shpejt u bënë të dukshme.

Një protestë vizuale
Goya filloi të punonte mbi “ Fatkeqësitë e Luftës” në vitin 1810. Në moshën 62-vjeçare, ai vuante nga shëndeti i dobët dhe nga shurdhimi, por përfundimisht në vitin 1820 përmbylli një seri prej 85 gravurash. Tre gravura të vogla të quajtura prisioneros (të burgosurit) nuk janë përfshirë në serinë përfundimtare.
Pavarësisht faktit që Goya punoi mbi shumë nga pllakatat gjatë luftës , “ Fatkeqësitë e Luftës” nuk do të publikohej deri në vitin 1863; 35 vjet pas vdekjes së Goya-s. Seria u shtyp përfundimisht nga “Akademia Mbretërore e Arteve të Bukura” të San Fernando, ku Goya kishte shërbyer si drejtor. Pllakat ishin bërë të mundura nga djali i Goya-s, Javier.
Shumë historianë sugjerojnë se Goya donte ta mbante publikimin e serisë deri sa imazhet politike të ngarkuara të mund të shiheshin pa censurë, ndërsa të tjerë besojnë se vonesa në publikim ishte për shkak të frikës së ndëshkimit nga regjimi i Ferdinand VII.
Në total, janë shtypur 1,000 kopje të “ Fatkeqësitë e Luftës”. Edicioni origjinal i vitit 1863 pati 500 shtypje, me shtypje të mëvonshme në vitet 1892, 1903, 1906 dhe 1937.

Përveç titujve të pllakave dhe shënimeve, i vetmi informacion që marrim nga arti vjen nga ajo që shkroi Goya në një album provash që ia dha një miku (përkthyer në anglisht):
“Pasojat fatale të luftës së përgjakshme në Spanjë me Bonaparte dhe kapricot e tjera të theksuara”
Pavarësisht nga kjo mungesë informacioni, historianët e artit bien dakord se “Disastrat e Luftës” vepron si një protestë vizuale e Goya-s kundër Luftës për Pavarësinë e Spanjës dhe Luftës së Gadishullit.
“Fatkeqësitë e Luftës“
Për këtë seri, Goya u largua nga kompozimet tradicionale pikturale dhe u përqendrua në narrativë. Ai përdori shprehje realiste, veshje dhe ambiente për të përshkruar momente torturash, tragjedish dhe vuajtjesh. 82 gravurat shpesh klasifikohen në tre grupe : lufta, uria dhe alegori politike.
Pllakat e para përqendrohen në pasojat e konflikteve të përgjakshme mes francezëve dhe spanjollëve. Disa nga titujt tregojnë se ai ishte dëshmitar i këtyre krimeve të përshkruara si për shembull, pllaka 44 e cila titullohet : “E pashë”.
Pllakat e tjera (nga pllaka 48 deri në 64) paraqesin urinë që përfshiu Spanjën pas përfundimit të sundimit francez. Imazhet përqendrohen në tragjeditë që ndodhën në Madrid, duke treguar trupa të vdekur ose pothuajse të vdekur dhe njerëz që mbajnë kufoma.
Pllakat e fundit tregojnë demoralizimin e qytetarëve spanjollë, pasi ata e kuptuan se luftuan për të rivendosur një monarki që refuzon të ndryshojë. Pllakat shprehin kritika ndaj politikës pas luftës, si dhe dyshime ndaj idhujtarisë fetare.

Në vend që të përdorte ngjyra, Goya kërkoi të shprehte pikëpamjet e tij të hidhura përmes hijesh të errëta. Ai e realizoi këtë përmes një kombinimi të gravurës, punktit të thatë dhe akvatintës.
Përmes këtij procesi të mundimshëm, Goya ekspozoi breza të tërë adhuruesish të artit ndaj realiteteve të trishtueshme të luftës. Goya shpesh konsiderohet një nga artistët e parë modernë dhe, përmes “Fatkeqësitë e Luftës,” mund ta kuptojmë pse komentari i tij i pakompromis mbi luftën dhe moralin flet me ne përmes kohës, duke na prekur në të tashmen në mënyra që pak artistë mund t’ia arrijnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




