Dosje

Farsa e shërbimit të provës/ Aleksandër Sadikaj në një rast u dënua me kusht, por kreu sërish krim

Gazeta Si – Pistat për eliminimin me shpërthim të Aleksandër Sadikajt, janë të shumta, duke nisur nga konflikte në Greqi në fushën kriminale, përplasje grupesh në Holandë për prishje të kodeve të krimit (grabitje droge të grupeve kriminale).

Por megjithatë, ende nuk ka asnjë të dyshuar. Pak ditë pas atentatit mafioz të telekomanduar ndaj 27-vjeçarit nga Memaliaj, i cili njihej ndryshe si “Sancho”, grupet e hetimit kanë bashkuar disa dosje.

Këtë e konfirmon për Gazetasi.al një burim pranë sektorit të vrasjeve në Drejtorinë e Tiranës, që ndalet në mënyrë të veçantë tek një hetim i para pak kohësh ndaj të afërmeve të Sadikajt, por që nuk jep më tepër detaje.

LEXO EDHE:
– Atentati ndaj Sadikajt, dhënia e parave me fajde mes pistave të hetimit
– Telefona-vrasës që aktivizohen nga një zile. Histori tritoli nga Tirana, Vlora e deri në Shkodër

Megjithatë, kjo nuk është pistë kryesore, por si të gjitha të tjerat. Bëhet fjalë për dyshime pas të cilave agjentët nguten të gjejnë një fije për të shkuar tek vrasësit.

Ndërkohë, Gazetasi.al, iu vendos në dispozicion një nga dosjet, ku për herë të parë, i riu Aleksandër Sadikaj, nga një i panjohur, sapo kishte nisur t’i tregonte muskujt policisë në Tiranë.

Dhe këtë e bëri gjatë ditëlindjes së tij. Në një vendim me numër 879, tregohet se si së bashku me Sadikaj, përfunduan nën akuzë edhe shokët e tij, A.K., A.K., E.S., që të gjithë të hetuar për kundërshtim të forcave të policisë.

Të rinjtë në atë kohë kërkuan gjykim të shkurtuar për një ngjarje që ndodhi gjatë ndryshimit të orëve në datë 28 maj 2017, pak orë përpara se në datë 29, i riu të festonte 22-vjetorin e lindjes.

Pikërisht, dosja përmend se sherri ndodhi 30 minuta përpara se Aleksandër Sadikaj t’iu frynte qirinjve, pasi dikush njoftoi se në lokalin “Ofiçina” (pranë Komunës së Parisit), kishte zhurmë.

Salla operative njoftoi patrullën, e cila mbërriti aty dhe foli me Aleksandër Sadikajn, që identifikohet jo vetëm si pronari i lokalit në fjalë, por njëherazi edhe si personi që priste ditëlindjen.

“Do ta mbyll lokalin shumë shpejt”, – tha ai, por pikërisht kur kishte hyrë data 29 maj dhe policët u kthyen sërish fiks 2 orë e 30 minuta më vonë, konstatuan se zhurmat vazhdonin.

Dikush kishte telefonuar sërish në sallën operative dhe në komisariatin dixhital dhe në zë dukej i shqetësuar për zhurmën që nuk po e linin të flinte.

“Menjëherë është afruar patrulla dhe është kërkuar mbyllja e lokalit, kurse në brendësi të tij kishte njerëz dhe zhurma të larta. Nga ana e policisë, janë paralajmëruar se po shqetësonin banorët dhe kur një pjesë e tyre janë larguar, Aleksandër Sadikaj ndër ta që ishte pronar, hipi në makinë si pasagjer”.

Por policia, duke parë që po shpërndaheshin klientët, ka qëndruar aty derisa të iknin dhe 5 persona vijonin të ishin në bar.

“Në këtë moment, patrulla 53/24 ka njoftuar për ndihmë patrullën 53, pasi pas pesë minutash aty është rikthyer automjeti ku gjendej pronari së bashku me dy persona të tjerë. Këtij automjeti i është kërkuar dokumentacioni dhe ky person i ka dhënë lejen e qarkullimit policisë. Gjatë bisedës me policinë, është dyshuar se ai kishte konsumuar alkool dhe i është kërkuar policisë rrugore të paraqitej për të kryer testin e alkoolit. Në këtë moment, Aleksandër Sadikaj ka filluar të ofendojë me fjalë fyese oficerët e policisë”, thotë policia për Gazetasi.al.

Punonjësit e policisë që dëshmojnë në dosjen e hetimit, kujtojnë se reaguan duke nxjerrë prangat.

“Në këtë moment, shtetasi Sadikaj, duke qenë me vetëm një prangë në dorë,  ka goditur me to policin E.V. Gjatë kësaj tentative për të prangosur Aleksandër Sadikajn, kanë ndërhyrë dhunshëm edhe personat e tjerë, njëri ndër ta e ka goditur në organet gjentitale policin me një shufër hekuri. Më pas, ka marrë shufrën dhe e ka qëlluar në kokë dhe është larguar me vrap. Ky person ishte me flokë të dendur dhe trup mesatar. Duke përfituar nga errësira, ai u largua dhe gjithashtu edhe i pandehuri Aleksandër Sadikaj, i ka hipur makinës dhe është larguar së bashku me një person tjetër”.

Policia i identifikoi më pas të gjithë dhunuesit e policisë që iu larguan me pranga në duar dhe pas gjykimit, i riu u dënua me një vit burgim, por nga zbritja e 1 të tretës së dënimit, ai përfitoi vetëm tetë muaj burg.

“Urdhërohet, – tha gjykata në atë kohë, – që i dyshuari të vihet në provë për një periudhë prej 16 muajsh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar”.

Në të vërtetë, këtë dënim nuk e kontrolloi askush. I ndjeri vijoi karrierën e tij, duke kryer gjatë kohës që ishte nën shërbim prove, një ngjarje tjetër, atë të plagosjes së një vlonjati në Sarandë.

Në atë kohë nuk pati asnjë reflektim nga gjykata e këtij rrethi për ta lehtësuar qëndrimin.

Ndërkohë, shërbimi i provës nuk kërkoi ndryshim të dënimit, sa kohë ai e kishte nën shërbim prove dhe e shkeli urdhrin e gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë