Lajme

Farmacistët tërhiqen nga protesta pas takimit të Ministres me përfaqësuesen e Urdhrit

Farmacistët tërhiqen nga protesta e paralajmëruar pas takimit të Ministres Manastirliu me kryetaren e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma.

“Protesta nuk do të zhvillohet sepse gjetëm rrugën e dialogut. Ministrja na priti dhe u vendos krijimi I grupeve të përbashkëta mes Fondit dhe farmacistëve për rishikimin e kontratës dhe korigjimet aty ku do të shihet e arsyeshme”, u shpreh Diana Toma, drejtuese e Urdhrit të Farmacistëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, priti sot në një takim drejtuesen e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma, pas shqetësimeve të ngritura gjatë ditëve të fundit prej Urdhërit të Farmacistëve në lidhje me listën e re të barnave të rimbursueshme.

“Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe cdo shqetësim do të zgjidhet me dialog. Që nesër ju do të vijoni në grupe të përbashkëta punë me Fondin për të adresuar aty ku është e mundur shqetësimet e ngritura prej jush”, tha Manastirliu gjatë takimit me znj. Toma.

Përfaqësuesja e Urdhrit të Farmacistëve, në emër të farmacistëve, shprehu vlerësimin për gjuhën e bashkëpunimit që gjeti për zgjidhjen e problematikave të ngritura prej tyre sa I takon kontratave të reja mes farmacive dhe FSDKSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë